Diplomat, Hereni: Bojkot deri të premten, do arrijmë deri në grevë urie
Studentët e Universitetit të Tiranës nuk do të paraqiten në mësim deri ditën e premte dhe në rast se kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, nuk do të futen në provime. Kryetari i Studentëve të Gjuhëve të Huaja, organizator i protestës, Erlis Hereni, thotë për “standard” se nëse Ministria e Arsimit do të këmbëngulë në qëndrimin e vet, atëherë studentët janë të gatshëm të arrijnë deri në grevë urie. Ndërkohë, ai propozon që në vend të titullit, të vendoset specialiteti i çdo dege, në mënyrë që çdo student të dijë vendin që ka rezervuar tregu i punës për të.
Dita e parë e protestës masive të studentëve. Konkretisht, çfarë zgjidhjeje kërkoni nga Ministria e Arsimit?
Ne kërkojmë zgjidhje shumë të thjeshta. Pikë së pari, duhet të zbatohet ligji i arsimit të lartë, i propozuar nga ministria aktuale. Ligji parashikon, në nenin 31, që është kompetencë e senateve akademike, që të përcaktojnë formatin dhe përmbajtjen e diplomës. Por, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit e ka uzurpuar këtë kompetencë, duke detajuar diplomat, e për më tepër, duke kërkuar që t’i miratojë ato, çka ndalohet nga ligji i arsimit të lartë. Për këtë arsye nevojitet pikë së pari zbatimi i ligjit.
Kërkesa jonë e dytë është që të vendoset titulli i studimit në diploma, ku të përcaktohet se me një diplomë të nivelit të parë, në një fushë të caktuar, ku mund të punësohet gjithsecili. Në këtë mënyrë, i jepet mundësia tregut, por edhe vetë studentit, që të ketë të parapërcaktuara fushat e punësimit për çdo diplomë, por edhe kjo të jetë e kategorizuar. Për shembull, dikush që mbaron 3-vjeçarin për anglisht, le të marrë në diplomë titullin “Mësues për shkollat nëntëvjeçare”, dhe ai që përfundon katërvjeçarin “Mësues për shkollat e mesme”, në mënyrë që tregu të dijë kë duhet të absorbojë dhe ku. Ministria e Arsimit pretendon se kjo nuk është në frymë të Kartës së Bolonjës dhe të ligjit të arsimit të lartë. E vërteta është se as Karta e Bolonjës as ligji i arsimit të lartë, nuk e ndalojnë diçka të tillë.
Por edhe në rast se do të ekzistonte një problem i tillë, apo nëse Ministria e Arsimit nuk ndihet e gatshme që të pranojë rivendosjen e titullit, për t’i ngjarë njërit vend, apo tjetrit, sërish ekziston një zgjidhje. Mund të vendoset që diploma e nivelit të parë të jepet në fushën e caktuar dhe të përcaktohet specialiteti, që sërish duhet të jetë i specializuar, në mënyrë që të përputhet me kërkesat e tregut. Kështu, nëse dikush përfundon për gazetari në trevjeçar, atëherë mund të përcaktohet specialiteti “gazetar ekonomik”, apo “politik”, sipas profilit përkatës që ka kryer. Ndërkohë nëse përfundon pesëvjeçarin, atëherë të përcaktohet “gazetarë i lartë ekonomik”, apo një mënyrë tjetër, që të bëhet i qartë diferencimi mes diplomave, në mënyrë që të gjejë vendin e përshtatshëm në tregun e punës.
Deri ditën e premte do të keni protestë, çfarë do të bëni nëse ministria nuk do të pranojë kërkesat tuaja?
Është e vërtetë. Ne kemi paralajmëruar gojarisht drejtuesit e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë që deri në ditën e premte do të bojkotojmë paqësisht mësimin, për të dhënë sinjalin e parë të mosbindjes sonë ndaj këtyre diplomave.
Nëse edhe pas kësaj jave, Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim, ne kemi vendosur të mos futemi në provimet e sezonit të shkurtit, deri sa të gjendet një zgjidhje përfundimtare. E në rast se ministria këmbëngul ende për diplomat, atëherë e vetmja zgjidhje që mbetet është një grevë urie e 150 mijë studentëve të universiteteve publike në vend, që nuk besoj se i intereson askujt.
Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, deklaroi për “standard” se Ministria e Arsimit mund të tërhiqet për sa i përket formatit, por nuk do të pranojë titullin. A e pranoni këtë propozim?
Siç thashë edhe më parë, Karta e Bolonjës nuk e ndalon diçka të tillë, por as nuk e lejon, sepse vetë Karta e Bolonjës është një bashkësi parimesh dhe nuk është aspak e detajuar. Ajo çfarë është e rëndësishme, është që këtë propozim, Ministria e Arsimit ta bisedojë me ne dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Edhe në rast se nuk pranon titullin, atëherë le të vendoset specialiteti, por i kategorizuar siç thashë më parë, në mënyrë që të mos ketë problem në tregun e punës. Askush nga ata që përfundojnë këtë sistem nuk duhet të jenë të destinuar për të mbetur të papunë. Krahas kësaj, Ministria e Arsimit duhet të përgatisë menjëherë kuadrin e ndarjes së peshës së diplomës në tregun e punës. Pra, duhet që të përcaktohet se ku mund të punësohesh me një Diplomë të Nivelit të Parë, me një Diplomë të Nivelit të Dytë, me një Master të Nivelit të Parë dhe me një Master të Nivelit të Dytë, për secilën fushë studimi. Duhet medoemos, që të përcaktohen këto detaje, që realisht duhet të ishin përcaktuar me kohë, për të mos krijuar konfuzionin e tanishëm.