E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncojnë: Po politizohet kultura dhe shkenca

Dje, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka lëshuar një peticion ku jepet alarmi për politizimin e Akademisë së Shkencave dhe Kulturës

Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 6 nëntor 2009, në Prishtinë, shqyrtoi gjendjen në institucionet tona shkencore, në mënyrë të veçantë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Meqenëse në diskutim u paraqitën mjaft të dhëna që dëshmojnë se këto institucione janë të politizuara në shkallë të palejueshme, Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e quan të nevojshme që opinionit të Kosovës t’i drejtohet me këtë Kumtesë. 1. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës është e shqetësuar dhe e brengosur për shkak të pasojave që një politizim i tillë ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë në shkencën tonë, në planifikimin, në vlerësimet dhe në afirmimin e saj si në Kosovë, ashtu edhe në gjithë hapësirën kombëtare.

2. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se përkatësia partiake është bërë kriter për pranimin dhe për dhënien e titujve shkencorë në institucionet shkencore, gjë që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë deformime të tjera në veprimtarinë e tyre shkencore, kulturore dhe shoqërore.

3. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se pasojat më të mëdha të një politizimi të tillë janë shprehur në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Institucion njëpartiak në kohën e komunizmit, kjo akademi vazhdon të jetë institucion njëpartiak edhe sot, madje partiakisht më i anshëm sot se atëherë. Opinionit tonë nuk i është bërë e mundshme të informohet se gati të gjithë funksionarët më të lartë të LDK-së janë bërë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, kurse prej 9 anëtarëve të sotëm të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë 7 janë anëtarë të LDK-së, ndërsa 5 prej tyre anëtarë të djeshëm apo edhe të sotëm të Kryesisë ose të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie!

4. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është e drejtuar vetëm prej anëtarëve, shpesh, madje, vetëm prej funksionarëve të një partie – të LDK-së! Për të qenë edhe më tragjikomike, më e papranueshme dhe më e palejueshme udhëheqja e saj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës drejtohet prej një grupi partiako–lokal! Kështu, fjala vjen, qe 17 vjet në krye të akademisë e ndërrojnë njëri–tjetrin një kimist e tre gjuhëtarë, kurse në kryesi u asistojnë fqinjë të vendlindjes e të partisë!

Kjo udhëheqje ka shkelur dhe vazhdon të shkelë procedurat elementare demokratike gjatë zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Akademisë; e shkurton afatin e zgjedhjes në dy vjet kur do të shtojë numrin e bashkëpartiakëve të vet dhe e zgjat në katër vjet kur do të shtyjë pranimin e të tjerëve. Për të siguruar që të pranohen vetëm bashkëpartiakët e saj dhe të pengohet pranimi i të tjerëve, kjo udhëheqje e ka bërë Seksionin organ i cili, në vend se Kuvendi i Akademisë, vendos kush do të pranohet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, çka nuk ndodh në asnjë akademi në Evropë!

5. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës thekson se uzurpimi i tillë njëpartiak i Akademisë dhe i Kryesisë së saj ka bërë: që në akademi të sillen edhe disa shkrimtarë – kritikë, prozatorë e poetë të cilët, po të mos ishte ajo ashtu e uzurpuar, nuk do të bëheshin anëtarë të saj; që në vazhdimësi të refuzohen studiues, shkrimtarë dhe krijues të tjerë me vepër të çmuar shkencore, letrare, artistike dhe me merita të mëdha për arsimin dhe për kulturën e Kosovës.

6. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës konstaton se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, për shkak të uzurpimit të tillë të skajshëm partiak, nuk ka sot në përbërje të saj asnjë historian, asnjë arkeolog, asnjë leksikolog e leksikograf, asnjë historian të krijimtarisë popullore, asnjë mjek. Deri sivjet, në përbërje të saj kjo Akademi nuk e kishte asnjë ekonomist sado Kosova ka një varg ekonomistësh të njohur e të çmuar edhe jashtë Kosovës. Po sivjet në akademinë tonë u pranua një ekonomist dhe ky është një funksionar i LDK-së, njëkohësisht kryetar i Prishtinës!

7. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës është e bindur se si pasojë e këtyre deformimeve, e kësaj papërgjegjësie shkencore, intelektuale dhe morale të uzurpuesve të akademisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në mënyrë të veçantë dy seksionet e saj themelore - Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore, nuk kanë realizuar deri sot dhe nuk do të jenë në gjendje të realizojnë as sot e tutje me përbërjen që kanë asnjë projekt kërkimor-shkencor me rëndësi historike për Kosovën e aq më pak për popullin shqiptar në përgjithësi. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës sot vepron si një shtëpi modeste botuese, e cila boton çka është botuar shumë kohë përpara dhe riboton veprat e disa anëtarëve të saj, ndonjëherë pavarësisht prej vlerës së tyre!

8. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës shpreh indinjatë pse mediat tona nuk janë marrë deri sot dhe nuk merren as sot me politizimin e institucioneve tona shkencore dhe me deformimet e sipërshënuara në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës është e vetëdijshme se heshtja e tillë e mediave është pasojë, në njërën anë, e mungesës së transparencës në Akademi, kurse, në anën tjetër, e trysnive që iu bëhen prej strukturave partiake të cilave iu takojnë përdoruesit dhe shpërdoruesit e akademisë sonë!

9. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës fton opinionin e Kosovës, krijuesit shkencorë dhe artistikë, sidomos institucionet politike dhe shtetërore që të bëjnë çka varet prej tyre për reformimin e institucioneve tona shkencore, për ndërprerjen e politizimit të tyre, për ndërrimin e gjendjes së përkeqësuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila cenon, në afat të gjatë historik, interesat shkencore, kulturore dhe, në përgjithësi, shoqërore të Kosovës.

Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i bën me dije opinionin kosovar dhe institucionet politike e shtetërore se do t’i vazhdojë përpjekjet për ndryshimin e gjendjes së politizuar në institucionet shkencore dhe kulturore, sidomos për ndryshimin e gjendjes së uzurpuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Prishtinë/Kryesia e LSHK-së, më 6.11.2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›