E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse veç Berlini kishte mur?!

Modeli që na ofron Gjermania se si të mos harrohen krimet, e shkuara që lidhet me komunizmin është për t’u marrë shembull. Këtë vit shënohet 20-vjetori i rënies së komunizmit në Gjermani dhe konkretisht Muri i Berlinit është shndërruar jo vetëm një ngjarje që mban një datë konkrete, por, po merr vit pas viti trajtat e saj mitike.

Ngjarja gjermane i ka kaluar kufijtë dhe tanimë nuk i takon vetëm atij vendi, për këtë arsye e gjejmë të instaluar prej një muaji axhendën e veprimtarive kulturore edhe në Tiranë...

Modeli që na ofron Gjermania se si të mos harrohen krimet, e shkuara që lidhet me komunizmin është për t’u marrë shembull. Këtë vit shënohet 20-vjetori i rënies së komunizmit në Gjermani dhe konkretisht Muri i Berlinit është shndërruar jo vetëm një ngjarje që mban një datë konkrete, por, po merr vit pas viti trajtat e saj mitike.

Ngjarja gjermane i ka kaluar kufijtë dhe tanimë nuk i takon vetëm atij vendi, për këtë arsye e gjejmë të instaluar prej një muaji axhendën e veprimtarive kulturore edhe në Tiranë. Ndonëse jemi vend i vogël, tani, dihet botërisht se kemi kaluar diktaturën më të egër në Evropë. Por shenjat për të parë nga diktatura jonë, për ta “zbuluar” atë më shumë frikëson këtu, sesa shndërrohet në energji çliruese, nga mentaliteti - edhe pse fenomeni më i fundit është shitja e diktaturës sonë përballë Evropës – si turizëm. Fakti se si janë servirur krimet e diktaturës nuk shkon më shumë se në stadin e kuriozitetit - përndryshe ndjeshmëria e intelektualëve nuk do t’i “përlotte” më shumë Muri i Berlinit, sesa “muri” i vet.

Të paktën çfarë vjen e reflektuar në vendin tonë, ku ka gati një muaj që tetori gjerman përveç pjesës argëtuese e promovuese të një kulture tjetër, përfshi dhe kontributin e kulturës sonë nën markën “Muri i Berlinit” – po ndikon në një lloj vetëdijësimi. Se sa shumë paskan vuajtur gjermanët nga komunizmi është gjendja e parë psikologjike, më pas të bën përshtypje se çfarë përkushtimi total kanë njerëzit e kulturës sonë për t’ju dhënë “Murit të Berlinit”, si ndjeshmëri të përjetuar nga rënia e komunizmit, por edhe ashtu kot, si shenjë gati servilizmi.

Ne e kaluam dhjetëvjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri, që simbolizohet me një “revolucion” të frustruar, duke tërhequr zvarrë bustin e diktatorit.

Por deri më sot, edhe pas 10 vitesh, edhe pas 15 vitesh nuk është bërë ndonjë celebrim dinjitoz. Ndërsa na duket se është më komode të flasësh për muret e të tjerëve, dhe mos të kuptosh akoma “murin” tënd moral mbi krimet e komunizmit. Ky një shkak për të kujtuar që njerëzit e persekutuar, të internuar jo vetëm që janë specie në zhdukje, që nuk kanë marrë akoma përgjigje për vuajtjet e dënimin e tyre, por shumë prej tyre për ironi jetojnë ende të harruar në vendet ku regjimi komunist i pat hedhur. Çfarë e bën më të vështirë marrjen e modelit të kujtesës nga “Muri i Berlinit” është larja e “hesapeve” me diktaturën. Konfuzioni rreth të vërtetës, apo debati i stërgjatë mbi hapjen e dosjeve prej vitesh është kthyer në retorikë politike, nga zyrtarë e njerëz që ende nuk kanë dalë nga mentaliteti komunist, ku jo pak prej tyre trashëgojnë emra baballarësh, e ofiqet e mëparshme. Meqë ra fjala “frika” e shumë të ish-dënuarve për të kërkuar drejtësi nëpër dyer gjykatash, apo zyra shtetërore pikërisht këtu është - pasi shohin ende zyrtare që dikur ishin xhelatët e tyre.

Politikisht, si model, çfarë është kërkuar me “modesti” është vetëm denoncimi i krimeve, hapja e dosjeve në këtë arsye, se si njerëzit kanë shkuar drejt dënimeve, pushkatimeve - por edhe kjo gjë tremb. Ndaj jemi në këtë qerthull, krejt larg së vërtetës nga diktatura - ku shumë njerëz nga padia ende thonë nën alibinë e ndyrë – se ishte më mirë ajo kohë. Sigurisht hasim përditë në media edhe asish tregimesh që mund të jenë internuar në kulm të diktaturës, dhe në fund të saj – me lloj lloj teorish, se iu prish qetësia “bllokut”, e dikush duhej “shkurtuar” nga nomenklatura. Por nuk ishte ky dënimi - këta lloj njerëzish sot kanë para sa të shëtisin, siç pohojnë “30 vende të botës” - dhe ndjejnë pikëllim që nuk kanë qenë kurrë në Gjermani. Por në pa flasim për ata njerëz që nuk u implikuan, por që ishin zanafillë shpirtërore e lirisë, dhe ju shkurtua jeta, apo morën dënime mbi 20 vjeçare. Kjo specie po harrohet.

Ndërsa rrëfimi as që pritet të ndodhë, - më shumë mund të shërbejë si lëndë letrare, për t’u qurravitur për mangësitë e ndërgjegjes sonë. A për më tepër të ketë ndodhur tërheqja apo distancimi, pa e shpëlarë çfarë kanë jetuar. Gjermaninë e duam të gjithë se na tregon dhe të vërtetën tonë, po aty janë dhe të vërtetat tona çfarë u gatua si teori dhe praktikë e komunizmit si edhe në vendin tonë. Ne kemi edhe modelet e vendeve të Lindjes se si u lanë hesapet me diktaturën, edhe se si ata nuk e përmendin më si ngjarje të pambyllur por si ngjarje të çliruar. Vetëm në Shqipëri diktatura nuk merr akoma këtë trajtesë. Arsyeja? Këtë përgjigje duhet ta japin më mirë të indoktrinuarit intelektualë, që rendin mbas festimeve të bujshme si kjo e “Murit të Berlinit” - ndërsa kontributi nuk quhet thjesht një lëpirëse. Ndoshta është koha që edhe ne t’i tregojmë botës “murin” tonë më të tmerrshëm, por me dinjitet pa listën e të persekutuarve - si një të nënës që s’prish punë, e një emër të njerkës që edhe mund t’ju prishë punë- duke ju kujtuar të kaluarën shumë prej intelektualëve të sotëm që nuk kanë guximin të përballen me dhëmbët e politikës, pa u rekrutuar! Dhe kjo nuk është vetëm vullnet politik, por më shumë moral i elitës sonë, që është në këto ditë krejt e përçarë, e babëzitur pas parasë.

Ndonëse duhet thënë se tani në kryeqytet tonë vetëm mungesa e fluturimit mbi avion ndjehet, pasi është një stinë e vërshimeve kulturore nga të katër anët e botës.

Gandi ka thënë pak a shumë mbi erërat e kulturave se unë qëndroj në shtëpinë time pa u tundur, por ama i lë dritaret hapur që kulturat e vendeve të tjera të hyjnë dhe të dalin, pa më marrë me vete. Bëhet fjalë për një import kulturor intensiv që po ndodh në këta dy muaj,- java kulturore nga të gjitha vendet evropiane nuk rresht për gjatë gjithë muajit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›