E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyset “Fuoristrada” në lumë, zhduken dy persona

Gramsh, makina po kalonte në anën tjetër të lumit

Rrjedha e fortë rrëmbeu makinën, dy pasagjerë arritën të shpëtonin

Dy persona të mbijetuar, një i mbytur dhe një i zhdukur. Ky është bilanci i aksidentit të rëndë të ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Sojnik të Gramshit, kur një makinë është rrëmbyer nga rrjedha e rrëmbyeshme e lumit teksa po përpiqej të kalonte në anën tjetër të lumit për në drejtim të qytetit të Gramshit. Gjithçka erdhi si pasojë e mungesës së një ure në këtë fshat, çka detyroi katër dasmorët të tentonin të kalonin me automjetin tip “Fuoristradë” lumin. Makina është përmbysur, ndërkohë që njëri prej katër personave që ndodheshin në të arriti të hidhet prej saj, një tjetër mundi të dilte nga uji dhe të shpëtonte. Tragjik ka qenë fati për dy të tjerët, njëri prej të cilëve është identifikuar i mbytur në brendësi të automjetit nga forcat e shpëtimit, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur. Sapo është marrë njoftimi në orën 17:00, forca të shumta policie janë nisur menjëherë në ndihmë të katër dasmorëve. Nga të dhënat e policisë rezulton se të zhdukurit janë 18-vjeçarja Elsa Rika dhe 33-vjeçari Ilir Mema. Së bashku me ta në automjet ishin edhe dy persona të tjerë, Eduard Kadiu që drejtonte automjetin dhe Artan Hysa, pasagjer, të cilët arritën të shpëtonin. Në vendngjarje kanë shkuar rreth 50 forca policie, zjarrfikëset dhe forcat RENEA, në përpjekje për të gjetur të zhdukurit.

Ngjarja

Rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, makina “Fuoristradë” me targa LU 1379 C po kthehej nga një dasmë në fshatin Gribë për në Gramsh. Kur kanë mbërritur në fshatin Sojnik, janë përpjekur për të kaluar në anën tjetër, pasi pengoheshin nga lumi i fshatit. Futja në lumë ndodhi për shkak të mungesës së një ure. “Fuoristrada” është futur brenda, por rrjedha e fortë si pasojë e prurjeve të shumta nga reshjet e ka përmbysur atë. Dy prej katër pasagjerëve, 33-vjeçari Artan Hysa dhe drejtuesi i mjetit, Eduard Kadiu, 32 vjeç arritën që të dilnin me shpejtësi. Ata kanë parë që makina po merrej nga rrjedha, megjithatë kanë arritur të dalin në breg. Ndërkohë që dy pasagjerët e tjerë, Ilir Mema 33 vjeç dhe Elsa Rika, 18 vjeçe, nuk arritën që të dilnin. Ata janë marrë nga rrjedha e fortë, e cila e ka shtyrë makinën 50 metra nga pika e saj fillestare. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka shkuar në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë. Për të gjetur dy të zhdukurit shkuan rreth 50 forca policie, si dhe forcat RENEA. Si pasojë e rrjedhës së fortë, mjegullës së madhe dhe dendësisë së reshjeve, nuk lejohej që të futeshin polumbarët. Vetëm njëri prej tyre arriti deri tek makina, ku u gjet njëri prej trupave. Po bëhen të gjitha përpjekjet për gjetjen e trupit tjetër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›