Trafiku i armëve, ja linja me Greqinë
Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzon gjykatës Alban Gjocin, shkodranin e akuzuar për trafik armësh
Alban Gjoci ka rrëfyer për prokurorinë se armët dhe municionet do t'i çonte deri në Athinë
TIRANË- Një 25-vjeçar do të ulet së shpejti në bankën e të akuzuarit, pasi tentoi të trafikonte në Greqi municione dhe granate. Alban Gjoci do të përballet tashmë me Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi u kap në flagrancë nga policia shtatë muaj më parë, teksa udhëtonte me furgon nga Shkodra për në kryeqytet, së bashku me tre arka fishekësh kallashnikovi, dy shishe uji me fishekë pistolete dhe 7 granata dore, të cilat donte t'i dërgonte në Greqi. Arrestimi i 25- vjeçarit Gjoci u krye tek vendi i quajtur kthesa e Kamzës në kohën e drekës së datës 25 maj të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas hetimeve shtatëmujore, prokurori i çështjes, Sokol Malaj, mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi dosjen për gjykim, duke u lënë gjyqtarëve në dorë, fatin e të pandehurit Gjoci, që rrezikon dënimin deri në 20 vjet burg. Sipas prokurorisë, ai akuzohet për veprën penale të "trafikut të armëve dhe municioneve luftarake", që parashikohet nga neni 278/a/2 të Kodit Penal.
Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori Malaj, babai i dy fëmijëve, Gjoci jetonte prej vitesh si emigrant në shtetin fqinj, Greqi, ku punonte në ndërtim. Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, ai kishte vendosur të blejë disa armë dhe municione që t'i dërgonte në Greqi, ku do t'i shiste. Këto fakte sipas kërkesës për gjykim, i ka pranuar edhe vetë i pandehuri 25- vjeçar Alban Gjoci, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ka treguar se municionin dhe armët i kishte blerë tek një shok i tij në Shkodër dhe kishin destinacion Greqinë. "Pasi erdha nga Greqia, mendova të blej disa armë dhe fishekë dhe t'i dërgoja në Greqi për t'i shitur, pasi kushtojnë andej. I bleva tek një shok në Shkodër dhe më pas i ngarkova në furgon për t'i sjellë në Tiranë. Në Tiranë do t'i ngarkoja në një furgon tjetër deri në Kakavijë dhe që aty do t'i kaloja në këmbë deri në një fshat të Greqisë, ku do të merrja taksinë. Doja t'i dërgoja në Athinë",-mësohet të ketë thënë i pandehuri Alban Gjoci, gjatë dhënies së dëshmisë së tij.
Sipas prokurorisë, Gjoci ka bashkëpunuar me persona të tjerë, por që nuk ka dashur t'i identifikojë.
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Alban Gjoci disa ditë para datës së transportimit të armëve, i ka siguruar këto nëpërmjet shokut të tij, i cili ia ka shitur................................ dhe me datë 25 maj të këtij viti. Me të hyrë në vendin e quajtur kthesa e Kamzës, aty rreth orës 12:00 të drekës, në një postbllok të policisë, furgoni me të cilin po udhëtonte Alban Gjocaj është ndalur për një kontroll rutinë. Gjatë kontrollit të furgonit me targa SH 203 A, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të municioneve dhe armëve. Menjëherë i janë vënë prangat 25- vjeçarit, i cili ka pranuar se armët janë në pronësi të tij. "Gjatë kontrollit u gjetën dhe dy çanta në brendësi të të cilave kishte tre arka me fishekë të cilat përdoren për automatikët "kallashnikov", një armë zjarri automatik "P.M.SH.", dy shishe uji në brendësi të të cilave kishte fishekë pistolete, të cilat përdoren për armët "TT", si dhe shtatë granata. Ndërsa në çantën tjetër u gjetën 5 pistoleta",-tha prokuroria. Mësohet se i pandehuri, kur të mbërrinte në Tiranë do të udhëtonte me një furgon tjetër dhe do të shkonte në Kakavijë, ku më pas do të kalonte kufirin jashtë pikës së kalimit kufitar. "Ai do të udhëtonte me këmbë deri në fshatin grek të quajtur Sitaria, duke transportuar edhe armët. Kur të mbërrinte aty do të merrte një taksi dhe do të shkonte në Athinë",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Neni 278/a
Trafikimi i armëve dhe i municionit
Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.