E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denonconi ish-policin gjobëvënës!

Jak Rucaj, ish-efektiv policie i dalë në reformë, dyshohet se mund të ketë riveshur uniformën disa herë pas lirimit, veçse jo për të shërbyer në komunitet, por për të grabitur. Si bëri të njohurën e tij trafikante droge dhe alarmoi ish-kolegët

TIRANË - Nuk ka hequr dorë nga detyra e policit, edhe pse prej kohësh nuk mbante më veshur uniformën policore. Por këtë herë nuk ka qenë në mbrojtje të ligjit, por ka shkelur me të dyja këmbët atë, duke konsumuar vepra të rënda penale. 48-vjeçari Jak Rucaj, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, i liruar nga detyra e punonjësit të policisë disa kohë më parë, u vu nën pranga nga kolegët e tij, pas fakteve që prej kohësh ai ishte kthyer në shqetësim për shumë persona. I ndihmuar edhe nga një i njohuri i tij, 52-vjeçari Bujar Hysa, lindur dhe banues në Shijak, është arrestuar rreth orës 18:00 të para dy ditëve, në “Rrugën e Dibrës”, pasi kanë goditur me mjete të rënda, duke u shkaktuar plagë të rënda në të gjithë trupin dy personave. Sipas një njoftimi të policisë së kryeqytetit, thuhet se “të dëmtuarit janë Elvin Bakalli dhe Valbona K. (emri i plotë i saj nuk bëhet i ditur për arsye etike), ish-mike e policit. Burime të rezervuara policore thanë se ai ka pasur njohje të hershme me femrën e dëmtuar, dhe ditën e ngjarjes ka pasur informacionin se ajo do të gjendej në banesën e saj në shoqërinë e Bakallit. Pasi kanë shkuar në apartamentin ku jetonte femra, dy “policët” kanë nisur të ushtrojnë dhunë mbi ta. Ndërkohë që sipas burimeve të besueshme policore, mësohet se më pas ata kanë njoftuar sallën operative nëpërmjet një telefonate, se në vendin ku kishte ndodhur rrahja, policia duhet të kryente një kontroll, pasi do të gjente një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Duke konsumuar në këtë mënyrë një tjetër vepër penale, ata i kanë shtuar vetes akuza të tjera. “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “përvetësimit i titullit apo detyrës shtetërore”, “mbajtje pa leje të municioneve luftarake” dhe “dëmtime të tjera me dashje, të kryera në bashkëpunim”, janë veprat penale që kanë konsumuar të arrestuarit. Ka qenë Seksioni Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, ai që ka vënë në pranga të dy personat. Pas arrestimit të tyre, efektivët e këtij seksioni gjetën e më pas sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 copë fishekë model 54. Por rasti i dy të dëmtuarve mësohet që të mos jetë i vetmi në ngarkim të “policëve”. Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë personave që mund të jenë dëmtuar nga dy të arrestuarit, që të denoncojnë në komisariate çdo lloj dhune të ushtruar ndaj tyre. Dhunë e cila, sipas të njëjtave burime të besueshme, rezulton të jetë përdorur në shumë qytetarë, të cilëve u janë prezantuar si policë e më pas ose u kanë marrë para, ose i kanë dhunuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›