I merr 1.5 milionë euro ndërtuesit të pallatit

TIRANË - Një nënshtetas turk ka mashtruar me shuma të mëdha parash një firmë ndërtimi turke, e cila punon në vendin tonë. 51-vjeçari me pasaportë turke, lindur në Tetovë e banues në Tiranë, Husnu Vatansever, është paditur tek Antikrimi Ekonomiko- Financiar i Drejtorisë së Policisë së Tiranës nga kompania e ndërtimit të pallateve “Gintash Alb Konstruksion Sh.p.k”. Shkak për këtë denoncim mësohet të jetë bërë vjedhja e shumës prej 1 milion e gjysmë eurosh. Në njoftimin për shtyp të kësaj drejtorie, thuhet se “51-vjeçari turk i ka vjedhur me anë të mashtrimit shumën e konsiderueshme kompanisë “Gintash Alb Konstruksion Sh.p.k”, me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Sipas burimeve të besueshme policore, mësohet se mes të denoncuarit dhe pronarit të kompanisë ishte rënë në ujdi që të bashkëpunonin për ndërtimin e një kompleksi ndërtesash banimi. Por duket se ortakëria për turkun ka qenë veçse një mashtrim, dhe “biznesi” me pronarin e vërtetë ka qenë një truk për të marrë paratë. Ata kishin vendosur që të ndërtonin bashkë, por Vatansever ka përdorur dokumente të falsifikuar, në të cilët tregohej pasuria e tij, që në fakt nuk ekzistonte, por ishte falsifikuar për t’i mbushur mendjen “ortakut” të tij, që të investonte pasurinë e tij për qëllime të përbashkëta. Por pasi kanë nënshkruar kontratën, pronari i kompanisë ka kuptuar se asnjë lek nuk po investohej nga ana e bashkëpronarit, e përveç kësaj, lekët e dhëna prej tij për ndërtime nuk po investoheshin e nuk po dukeshin gjëkund. Pasi ka kuptuar që “ortaku” i tij ishte thjesht mashtrues, ai ka vendosur ta denoncojë në polici, dhe kjo e fundit ka kaluar dosjen në prokurori për konsumimin e veprave penale të “mashtrimit” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”. El.El