E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamiri duhet të zgjedhë

Kandidatët për Gjykatën e Lartë. Ekspertët përcaktojnë 9 kriteret bazë

Grupi i punës i ekspertëve ligjorë përfundoi dje përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Grupi i Punës në mbledhjen e djeshme, pasi shqyrtoi propozimet e ardhura nga grupet parlamentare, i sugjeroi kreut të shtetit kriteret dhe standardet e vlerësimit të kandidatëve që ai do të përzgjedhë, për t’ia propozuar më pas për votim Kuvendit. Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, kandidatët duhet të mos kenë pasur precedentë penalë e të kenë përmbushur detyrimet ligjore. Ata duhet të kenë qenë transparentë dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij. Treguesit e lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit edhe jashtë ushtrimit të profesionit janë një tjetër kriter. Kërkohet po ashtu të mos kenë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen. Kandidatët duhet të kenë arsim të lartë juridik e kualifikime shkencore. Gjatë periudhës së punës, duhet të shikohen masat disiplinore e fuqia e tyre ligjore. Pjesë e standardeve është edhe vjetërsia në punë sa më afër gjyqësorit. Kandidatët duhet të kenë integriteti i lartë moral dhe reputacion të mirë në komunitetin e juristëve. Bazuar në këto kritere, kreu i shtetit do të duhet të përzgjedhë emrat e rinj që do t’ia propozojë Kuvendit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pesë dekretet e mëparshme të tij u rrëzuan më 16 qershor nga Kuvendi, ndërsa para votimit pati përplasje mes tij dhe mazhorancës. Kjo e fundit kërkonte konsultim paraprak me kreun e shtetit për çështjen e emrave. Pikërisht për këtë arsye, përpara përzgjedhjes së emrave të rinj presidenti Bamir Topi ngriti grupin e punës, i përbërë nga jurisë, i cili mori në konsideratë edhe kriteret e propozuara nga partitë politike. Përplasja për pesë emrat, të cilët u rrëzuan në Kuvend, u cilësua nga opozita si përpjekje e kryeministrit Sali Berisha për të pasur nën kontroll Gjykatën e Lartë.

•Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore.

• Vjetërsia në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit.

• Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna.

• Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale.

• Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë pasur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.

• Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa).

• Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike).

• Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

• Të inkurajohet karriera gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›