Shpejt pa viza, shpejt në NATO

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, premtoi se, “nisur nga kriteret e plotësuara nga Shqipëria, procesi i heqjes së vizave me vendet e BE-së do të jetë një proces afatshkurtër”. Basha i bëri komentet në seancën dëgjimore të mbajtur dje në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit. Komisionerët e thirrën ministrin për raportimin e gjendjes së procesit të anëtarësimit në NATO dhe për liberalizimin e regjimit të vizave. “Procesi i liberalizimit të vizave me BE-në do të jetë një proces afatshkurtër, duke pasur parasysh fazën ku ndodhemi në plotësimin e kushteve kryesore, të numëruara në udhërrëfyesin e BE-së, që janë reformat, kartat e identitetit, pasaportat biometrike dhe siguria e kufijve”, - tha Basha. Ministri shtoi se Shqipëria dhe partnerët evropianë ndajnë “plotësisht optimizmin e shprehur nga zyrtarët evropianë, se ky do të jetë një proces afatshkurtër, por tërësisht i bazuar në perfomancën e vendit përkatës”. Basha tha gjithashtu, se Shqipëria do të vazhdojë pa asnjë hezitim të ecë në rrugën e reformave, me qëllim që më 9 korrik të përfundojë nënshkrimin e protokollit me NATO-n. Ministri i Jashtëm tha po ashtu, se ndër hapat seriozë që kanë rritur besueshmërinë e vendit, janë reformat e ndërmarra bashkërisht me opozitën.