E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depot në zonë të pamenduar

Presidenti Topi

Presidenti Topi shpreh rezerva për vendndodhjen e depove. Ai nuk sheh rrezik për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vlerësuar gjendjen tepër dramatike. Në konferencën e pasdites së djeshme për shtyp, kreu i shtetit ka thënë se ka qenë e pamenduar mirë vendosja e kësaj uzine pranë një zone të banuar. “Në pamje të parë dhe jo vetëm në pamje të parë, fakti që jemi edhe post-faktum në një analize të tillë, na bën të vlerësojmë që pozicionimi ka qenë i pamenduar, kuptohet midis Tiranës, Durrësit dhe Rinasit”, theksoi ai. Presidenti Topi tha se me kalimin e emergjencës do të mbledhë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të analizuar situatën dhe për të marrë në shqyrtim problemin për çështjen e rezervave të mëdha të armatimit dhe municionit dhe mënyrën e shkatërrimit të tyre. “Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të analizojë situatën si dhe do të hetojë mbi shkaqet. Do të vlerësojë perspektivën e asaj që konsiderohet një problem i madh për Shqipërinë, çështjen e rezervave të mëdha të armatimit dhe municionit dhe mënyrën e shkatërrimit të tyre”, tha Topi. Presidenti nënvizoi se Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk do të mblidhet për formalitet, por do të mblidhet për të analizuar situata të tilla, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, është për të bërë profilaksinë definitive që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në Shqipëri. Ai ka kërkuar hetime të sakta për të nxjerrë në dritë shkaqet e kësaj tragjedie. “Kam kërkuar dhe inkurajoj prokurorinë që të zhvillojë hetime për ngjarjen, të zhvillojë hetime mjaft profesionale, sepse ngjarja është e rëndë, është ngjarje e jashtëzakonshme, e cila padyshim kërkon që të nxjerrë në dritën e diellit shkaqet përse ndodhi kjo tragjedi”, tha Presidenti Topi. Ai vlerësoi se shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm, sa mund të konsiderohej si shpërthim nuklear, por pa radioaktivitet. Sipas tij, bëhet fjalë për një llogaritje të përafërt nisur nga shpërthimi, nga vala dhe rrezja e goditjes, pasi dëmtime janë vërejtur jo vetëm në zonën pranë shpërthimit, por edhe më tej. Ai pohoi se tragjedia mund të kishte qenë shumë më e thellë. Ndërkohë, Presidenti i Republikës tha se nuk duhet bërë asnjë paragjykim mbi përgjegjësitë politike të qeverisë. “Kur thamë që presupozohet se do të bëhet një hetim i qartë, i thellë dhe kompleks, asnjë lloj paragjykimi dhe pa asnjë lloj paragjykimi, po ashtu dhe pa asnjë lloj tendence për influencë, ju vetë do ta ndiqni situatën hap pas hapi. Ju siguroj që hetimi do të jetë shumë korrekt”, theksoi ai. Sipas tij, të gjithë janë të vendosur të bëjnë transparencën e duhur nëpërmjet institucioneve ligjore, në mënyrë që të nxjerrim mësim. Ai tha se të gjithë janë të ndërgjegjshëm që tragjedi të kësaj natyre natyrisht nuk mund të kalojnë me një komunikim mediatik. Ndërkohë, duke iu referua edhe aspiratës së vendit për anëtarësimin në NATO, duke marrë në konsideratë se për pak javë zhvillohet samiti i Aleancës, ku pritet marrja e ftesës. Ai theksoi se ngjarje të tilla si shpërthimi në Gërdec, nuk do të influencojnë në aspiratën për anëtarësim në NATO, pasi këto aksidente kurrsesi nuk mund të eklipsojnë punën e madhe që është bërë në Shqipëri, si nga politika, institucionet dhe nga vetë shoqëria, për të qenë pjesë e NATO-s. Gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit ka vizituar të plagosurit e shtruar në pavijonin e Djegies Plastike të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës. Po ashtu, ai ka qenë edhe në Spitalin Ushtarak, në Repartin e Urgjencës, ku u interesua për gjendjen e të shtruarve dhe i ka siguruar ata për mbështetjen e gjithanshme të Institucionit të Presidentit dhe strukturave shtetërore. Ai ka pohuar se gjendja e disa të lënduarve është kritike për jetën, të cilët janë larguar në spitale jashtë shtetit për një ndihmë më të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›