Panik anembanë Shqipërisë

Banore qe kane jetuar dhe jetojne prane objekteve ushtarake ndjehen te frikesuar se mund te pesojne fatin e Gerdecit
Mjekës - Elbasan Bomba me sahat pret orënBanorët thonë se në tunelet e saj ka dhjetëra tonë municione luftarake ELBASAN – Teksa në Gërdec të Vorës numërohen viktimat, në Mjekës të Elbasanit, lutet Zoti. Një uzinë e dikurshme e prodhimit të municioneve që ndodhet në afërsi të vendbanimit, është kuçedra që u shtin mornicat banorëve. “Uzina mund të konsiderohet si një bombë në prag të shpërthimit, pasi në depo dhe tunele ndodhen të depozituara dhjetëra tonë municione luftarake, të cilët ndodhen në fazën e shpërbërjes, për shkak të skadencës dhe amortizimit”, pohojnë specialistët. Mjekësi konsiderohet si uzina më e sigurt në shkallë vendi, por ngjarjet e ditëve të fundit e kanë rritur më tej gatishmërinë në këtë vend. Që prej vitit 2000, në këtë uzinë janë asgjësuar mbi 1.6 milionë mina antinjeri, 2 milionë granata dore dhe 8700 tonë municione të armëve të vogla e të lehta, ose 104 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në Mjekës të Elbasanit ekziston furra më e avancuar sot në botë e asgjësimit të municionit luftarak. Ajo punon 24 orë pa ndërprerje, me kapacitet 14 tonë në ditë. U ngrit nga strukturat e NATO-s dhe konsiderohet si krenaria teknologjike e saj në këtë drejtim. Veç sigurisë dhe rendimentit të lartë, furra që kushtoi rreth 3 milionë euro garanton edhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotja. Në këtë vend kanë punuar vetëm inxhinierë të specializuar të demilitarizimit, nën mbikëqyrjen e rreptë të specialistëve të NATO-s. Projektet e demilitarizimit janë kryer nga Agjencia e Mirëmbajtjes dhe e Mbështetjes pranë NATO- s, që është një strukturë menxhuese brenda saj. Ato janë realizuar nga Fondi i Besimit i NATO-s, i akorduar nga vendet donatore dhe nga BE-ja. Projekti i mësipërm përfundoi më 4 tetor të vitit të kaluar dhe specialistët e vetë uzinës kishin gati projektin e shkatërrimit të murtajave dhe municioneve shtesë. Çuditërisht, furra e sigurt u harrua dhe aktualisht uzina prodhon vetëm amonit. Ende janë të paqarta arsyet se përse projektet e demilitarizimit nuk vazhdojnë në këtë uzinë. M.Kalaja Poliçani: Edhe ne çmontojmëBERAT - Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në depot e armatimit në zonën e Vorës, në ish-Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, një prej prodhuesve më të mëdhenj të municioneve ushtarake në vite, janë marrë masa të forta për shmangien e ndonjë shpërthimi të mundshëm. Burime nga uzina bëjnë me dije se në këtë vepër të ndërtuar në vitet 1967, tashmë punojnë 250 punëtorë, një pjesë e vogël e të cilëve merren me armatimin. Sipas kryetarit të sindikatës së punëtorëve, Kasëm Zaimit, mësohet se prodhueshmëria e këtij kombinati ka qenë 100 për qind ushtarake, pasi prodhoheshin granata, mina, predha e armë të kalibrave të ndryshëm etj. Të gjitha këto municione siguroheshin në tunelet e kombinatit, si në zonën “D” dhe zonën “C”, ndërsa edhe tani aty prodhohet, edhe pse në sasi të vogël municione ushtarake. Megjithatë, drejtues të Bashkisë së Poliçanit bënë me dije se masat për parandalimin e ndonjë tragjedie janë marrë që para ngjarjes së Gërdecit. “Edhe këtu janë kryer çmontime të predhave të përmasave të mëdha, por nga specialistët më të mirë të fushës”, tha kryetari i bashkisë, Adriatik Zotka. Në të vërtetë, ky konstatim e bën të qenësishëm rrezikun e një shpërthimi të mundshëm në çdo kohë. Sipas Zotkës, çmontimet janë bërë në depo me përmasa të caktuara dhe të betonuara, ndërsa edhe municioni që gjendet aty aktualisht është në ruajtje të vazhdueshme nga policia, jashtë çdo rreziku të mundshëm. Megjithatë, probabiliteti për një tragjedi është gjithmonë i pranishëm.R. Xhelili