Të ndërtojmë Gërdecin e ri

Sali Berisha dje në Gërdec
Kryeministri Berisha garanton se qeveria do te demshperbleje banoret dhe do te ndihmoje per riparimin e demeve
Kryeministri Sali Berisha ishte gjatë gjithë ditës së djeshme duke ndjekur zhvillimet pas shpërthimit në Gërdec. Madje, shefi i ekzekutivit ka shkuar personalisht në fshat për të parë nga afër gjendjen. Gjatë mbledhjes së Komisionit Ndërministror të Emergjencës, në Vorë, Berisha tha se qeveria është e përqendruar totalisht në shërimin e të plagosurve dhe gjetjen e humburve dhe po ashtu, ai premtoi se do të ndërtohej i tërë Gërdeci nga e para. Kryeministri shqiptar ka thënë se hetim i plotë i kësaj katastrofe ka nisur nga prokuroria e vendit dhe se çdo dokument që i nevojitet për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë do t’i jepen sapo të kërkohen. Më pas, në një komunikim me mediat, ai ka bërë të ditur se në zonën e rrezikut, krahas njësive shqiptare, po punojnë për çminimin njësi amerikane dhe së shpejti do të bashkohen me ta edhe njësi daneze dhe norvegjeze. Ai ka thënë se solidaritet dhe ndihmë kanë ofruar qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila pret nga Shtabi i Emergjencës kërkesat, ndërsa Franca ka përgatitur dy avionë për t’i nisur drejt Shqipërisë, si dhe është garantuar ndihmë edhe nga Gjermania e Italia. Sipas tij, ndihmat mjekësore kanë mbërritur nga Greqia, e cila ka tërhequr për kurim 5 të sëmurë, po ashtu dhe Turqia, Danimarka, Norvegjia, Spanja, Zvicra, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shumë vende të tjera, organizata ndërkombëtare e biznese të mëdha. Kryeministri Berisha ka zhvilluar edhe një vizitë në Qendrën Spitalore në Tiranë. Ai ka dalë në konferenca për shtyp për të dhënë informacione të shpeshta mbi gjendjen. Gjithashtu, ai ka dalë në një konferencë për shtyp edhe me dy ministrat e qeverisë së Kosovës, atë të Transporteve, Fatmir Limajn dhe atë të Brendshëm, Zenun Pajaziti. Dy ministrat kanë shprehur mbështetjen dhe kanë bërë të ditur se nga buxheti i qeverisë së re është dhuruar një shumë simbolike prej 50 mijë eurosh, ndihmë kjo për familjet e viktimave.