Depozitat e shqiptarëve në banka, 69% e depozitave të siguruara
Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka bërë me dije se 69% e depozitave të qytetarëve janë të siguruara sipas skemës që parashikohet në ligj. ASD në raportin e veprimtarisë së saj për 2010-ën, që i ka dërguar Kuvendit, raporton këtë shifër. Sipas këtij raporti, depozitat e individëve që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave, zënë një peshë prej 81% kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar. Nga ana tjetër, në këtë raport citohet se depozitat e klientëve të sistemit bankar shqiptar, në fund të vitit 2010, u rritën me 18,2% krahasuar me fundin e vitit 2009. Pjesën më të madhe të këtyre depozitave e zënë individët në lekë dhe 46% e tyre janë depozita në valutë. Sipas raportit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për 2010-ën , referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare dhjetor 2009-dhjetor 2010, vërehet një rritje e tyre me 18,2%, kurse depozitat e siguruara u rritën me 14,8%. Po për të njëjtën periudhë, për depozitat në valutë vërehet një rritje prej 7% dhe një rënie prej 5% e depozitave në lekë. Përsa i përket depozitave, referuar raportit, depozitat deri në 2500 mijë lekë zënë rreth 45% të totalit të depozitave të individëve. Kurse numri i depozituesve të cilët kanë shumën e depozitave të tyre mbi 2500 mijë lekë, dominon duke zënë 96% të totalit. Përsa i përket objektivave që Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka për vitin 2011, raporton se ky vit do të jetë vit i rishikimit të kuadrit nënligjor dhe mjeteve praktike të Agjencisë për të mundësuar procesin e vlerësimit dhe forcimit të sistemit të sigurimit të depozitave, bashkëpunimin me institucione të specializuara për asistencë teknike, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës për kryerjen e procesit të kompensimit. Gjithashtu edhe edukimin dhe informimin e grupeve të interesit për çështje të sigurimit të depozitave. Në të njëjtën kohë do të bëhet prezantimi dhe njohja me dokumentin mbi “Parimet bazë për një sistem efektiv të sigurimit të depozitave”, njohja dhe përgatitja profesionale e autoriteteve mbikëqyrëse vendore – përgjegjës të sigurisë dhe stabilitetit financiar në vend me metodologjinë e vlerësimit të parimeve bazë për një sistem efektiv të sigurimit të depozitave. Ndërsa do të bëhet edhe vlerësimi i përputhshmërisë së sistemit shqiptar të sigurimit të depozitave me këto parime, identifikimi i nevojave dhe hapësirave për përmirësim të mëtejshëm të tij si dhe zhvillimi e implementimi i një plani strategjik masash korrektuese.
Sipas raportit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për 2010-ën , referuar ecurisë së depozitave të individëve për periudhën njëvjeçare dhjetor 2009-dhjetor 2010, vërehet një rritje e tyre me 18,2%, kurse depozitat e siguruara u rritën me 14,8%.
Depozitat në banka, situacioni në shifra
Rritja e depozitave më 2010 18%
Depozitat e siguruara 69%
Kufiri i siguruar 25 mln lekë
Depozitat 46 % janë në lekë
Depozitat e siguruara u rritën 14,8%.
Depozitat në valutë u rritën 7%
Depozitat në lekë ranë 5%