Ndihma sociale, ja kriteret për përdorimin e fondit të pashpërndarë
Personat që trajtohen me mbrojtje sociale do të përfitojnë nga fondi i pashpërndarë për këtë zë nga buxheti. Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton qartë kriteret se kush përfiton nga ky fond dhe procedurat që do të ndiqen për të. Sipas udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare, fondi i pashpërndarë i mbrojtjes sociale do të përdoret për mbështetjen me fonde të rasteve të paparashikuara si nga fondet e njësive të qeverisjes vendore, ashtu edhe nga fondet e buxhetit të shtetit për familje apo individë në nevojë, në raste fatkeqësish me vdekje, nga aksidente në punë, sëmundje të rënda, fatkeqësi nga zjarri, përmbytje apo fatkeqësi të tjera natyrore. Gjithashtu, ky fond do të përdoret për njësitë e qeverisjes vendore, për plotësimin e nevojave të paparashikuara dhe emergjente, për pagesën për aftësinë e kufizuar, programimin e ndihmës ekonomike si rezultat i ndryshimeve që kanë ndodhur në nivelin e varfërisë së familjeve banuese në juridiksion të territorit të tyre, ndryshimit të nivelit të papunësisë dhe punësimit. Nga ky fond do të përfitojnë edhe shërbimet sociale komunitare, që ofrohen në qendra rezidenciale, ditore, shërbimin e kujdestarisë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve, të personave me aftësi të kufizuara, të moshuarve, të rinjve, grave dhe individëve në nevojë. Për shpërndarjen e fondit, sipas udhëzimit do të procedohet me ngritjen e një komisioni i cili do të mblidhet periodikisht dhe vlerësojë kërkesat që do vijnë nga njësitë e qeverisjes vendore, për mbështetjen e individëve, familjeve, grupimeve që konsiderohen në nevojë dhe do të vendosë për shpërndarjen e këtij fondi. Duke iu referuar udhëzimit, njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat do të paraqesin projektet dhe propozimet e tyre për mbështetje nga fondi i pashpërndarë i mbrojtjes sociale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Kërkesat për mbështetje nga fondi i pashpërndarë i mbrojtjes sociale, që do të paraqesin njësitë e qeverisjes vendore, mbështeten dhe argumentohen me: treguesit e nivelit të varfërisë që kanë njësitë vendore sipas vlerësimeve të LSMS-së dhe kritereve të ndihmës ekonomike; vlerësimin e nevojave për shërbime sociale në territorin e tyre; nivelin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror që ofrohen aktualisht nga subjektet publike dhe jopublike në njësitë vendore; numrin e përfituesve të shërbimit, nivelin e zbatimit të standardit të shërbimeve për përfituesit në nevojë dhe performancën e mëparshme të shërbimit; kontributin e njësisë vendore në mjete financiare ose në kapitale të trupëzuara të vëna në dispozicion të ofrimit të shërbimit social, për të cilin kërkohet financim; treguesit, përfitues në ndihmë ekonomike, persona me aftësi të kufizuara, personat pjesëtarë të familjeve ku nëna është kryefamiljare, persona pjesëtarë në grupet në nevojë, pjesëtarë të familjeve rome, jetimët familjarë për individët që do të përfitojnë mbështetje financiare; mosparashikimin e financimit të shërbimit të përkujdesit shoqëror me fondet e njësisë së qeverisjes vendore, në vitin ushtrimor buxhetor. Ndërsa ata që nuk përfitojnë financim nga fondi i pashpërndarë: individët/njësitë e qeverisjes vendore/projektet e shërbimeve sociale komunitare, të cilat janë financuar në vitet pararendëse nga ky fond.