E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitohet aktakuza përfundimtare kundër Karaxhiç

HAGE- U depozitua sot në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës akti përfundimtar i akuzës kundër ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, procesi i të cilit do të nisë të hënën e ardhshme në kryeqytetin holandez.
Sipas aktakuzës, Karaxhiç, 64 vjeç, ka qenë një nga ideatorët e planit për dëbimin përfundimtar të myslimanëve dhe kroatëve nga zonat e Bosnjë-Hercegovinës të pushtuara nga serbët gjatë luftës së viteve 1992-'95. Dokumenti i akuzës analizon në detaje dy gjenocidet e kryera nga Karaxhiç, atë të muajve të parë të luftës dhe masakrën e tetë mijë personave në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, pak muaj para përfundimit të luftës.
Karaxhiç akuzohet për krime kundër njerëzimit, përfshi vrasje masive, përdhunime, dëbime me forcë, tortura dhe rrethimin e Sarajevës.

Aktakuza kualifikon si krime lufte edhe marrjen peng të rreth 200 kaskave blu dhe vëzhguesve të OKB-së në vitin 1995. Versioni i parë i aktakuzës numëronte krime në 47 komuna, por akuzat u reduktuan pas disa shqyrtimesh të detajuara.
"Ne kërkojmë një proces që të reflektojë pasojat e rënda të krimeve që janë kryer, një proces që u lejon viktimave të tregojnë historitë e tyre dhe që njëkohësisht të jetë efikas", deklaroi prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, belgu Serge Brammertz, gjatë një interviste që u publikua sot nga e përditshmja belge "Le Soir".
Sipas Brammertz aktakuza përfundimtare është e pranueshme dhe procesi duhet të zgjasë nga dy vjet e gjysmë deri në tre vjet. Gjykata do të dëgjojë dëshmitë e më shumë se 400 personave. Procesi do të drejtohet nga gjykatësi O-Gon Këon.
Karaxhiç ka vendosur të vetëmbrohet përballë akuzave.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›