E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX: Vitin tjetër nisim kërkimet për të zhdukurit në Kosovë

PRISHTINE-Shefi i komponentës së drejtësisë, Alberto Perduca tha se gërmimet për gjetjen e mundshme të vendvarrimeve të reja tani për tani janë të pamundura për shkak të përkeqësimit të motit.

“Stafi ynë po punon në këtë drejtim dhe ne planifikojmë që në fillim të vitit të ardhshëm kur moti të na lejojë, të fillojmë operacionet në terren për varreza të mundshme masive”, deklaroi zoti Perduca për BBC-në

Shefi i komponentës së drejtësisë, Alberto Perduca theksoi se zbardhja e fatit të të zhdukurve është përparësi e punës së EULEX-it. Sipas tij është jetike që të vazhdohet me identifikimin e më shumë vendvarrimeve të mundshme, me zhvarrimin e kufomave dhe identifikimin e tyre.

“Ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit në nivel rajonal e sidomos me autoritetet e Serbisë. Ne po punojmë që të përmirësojmë bashkëpunimin në bazë të mirëbesimit të përbashkët”, tha shefi i sektorit të drejtësisë në EULEX, Alberto Perduca.

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, në përbërje të të cilit janë zyrtarë të lartë të qeverisë, EULEX-it dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare, ka vlerësuar se vështirësitë në këtë proces mbesin të shumta. Kjo për shkak të mungesës së informacioneve për vendndodhjen e personave që mungojnë.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se nuk është bërë e mundur identifikimi i 400 mbetjeve mortore të cilat ndodhen në morgun e Prishtinës

Manaj tha se qeveria dhe EULEX-i do të përgatisin një plan veprimi, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë për mbledhjen e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Duhen shtuar përpjekjet, në veçanti të EULEX-it, për të marrë informacione nga Beogradi për vendvarrime të reja”, deklaroi zëvendësshefi i qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj.

Përpjekjet e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për përshpejtimin e procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur pasojnë një grevë 16 ditëshe të disa nënave gjakovare, fëmijët e të cilave janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës.
parë.

Nga rreth 2000 persona sa aktualisht janë të zhdukur, rreth 500 besohet të jenë serbë apo pjesëtarë të pakicave tjera, ndërsa shumica janë shqiptarë.
(s.g/BBC/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›