E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie tavani i klasës në Vlorë, dëmtohet një nxënës

Tavani ra në klasën e tetë të shkollës 9-vjeçare "Teli Ndini", kur nxënësit ishin në orën e gjuhës shqipe
14-vjeçari, Elvjan Kasaj pëson çarje në kokë, shpëtojnë të tjerët. Policia nis hetimet për ngjarjen
VLORË- Rënia e tavanit, në një nga klasat e shkollës 9-vjeçare "Teli Ndini", në Vlorë ka rrezikuar seriozisht jetën e 31 nxënësve të klasës së tetë, që ishin në mësim në orët e paradites. Zhurma e krijuar dhe më pas tavani përtokë ka përcjellë alarm e frikë në ambientet e klasës që ndodhet në katin e tretë të shkollës. Për fat, tavani nuk ka rënë menjëherë dhe nga suvaja është dëmtuar vetëm një nga nxënësit, i cili ka pësuar çarje në kokë. Klasa është mbyllur, nxënësit janë nisur nëpër shtëpi, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për ngjarjen që për fat nuk shkaktoi probleme të mëdha.
Ngjarja
Ka qenë ora e katërt e mësimit dhe nxënësit sapo kishin ardhur nga pushimi i madh. Pjesa e tavanit është shkëputur, fatmirësisht jo menjëherë, duke shmangur kështu dhe tragjedinë. Vetëm një prej nxënësve, Elvjan Kasaj, ka pësuar çarje në pjesën e kokës, por fatmirësisht pa dëmtime të rënda. Në ambientet e klasës janë mbledhur më pas thuajse e gjithë trupa pedagogjike, por edhe nxënës, pas të thërriturave dhe zhurmave që kanë dëgjuar nga klasa e tetë. Pjesamë e madhe e tavanit ka qenë e tëra përtokë, duke thyer banka e stola, në të cilat më parë ishin të ulur nxënësit. Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, Violeta Brahimi, e cila duket se ende nuk e ka mbledhur veten nga tronditja e skenës, shpjegon se nxënësit kanë qenë thuajse në çaste qetësie. "Ka qenë ora e katërt dhe nxënësit e klasës së tetë kishin në orar orën e gjuhës shqipe. Duke qenë se mësuesja e lëndës mungonte, nxënësit janë marrë nga nëndrejtori i shkollës, për të ndenjur në klasë dhe u është dhënë një detyrë me shkrim nga mësuesja tjetër e gjuhës që është në këtë shkollë"- tregon ajo. Sipas saj, krejt papritur, qetësinë e klasës e ka prishur një zhurmë si kërcitje, dhe një nga nxënëset e klasës ka dhënë alarmin se po krisej tavani.
Dëmet
Duke parë rrezikun, nxënësit janë ngritur me vrap dhe kanë dalë nga klasa, ndërkohë që pjesë e trashë e suvasë ka rënë më zhurmë në klasë, duke thyer plotësisht 6 banka nënjë nga rreshtat anësore dhe ato të mesit, së bashku me stolat ku ishin ulur nxënësit. Pas kësaj, pjesë të mëdha të rëna nga tavani kanë zënë ambientet e klasës, ndërsa në një sipërfaqe të konsiderueshme rrethore, në pjesën e tavanit kanë dalë hekurat. Njërit prej nxënësve që ka lënë vendin i fundit i ka rënë një copë nga suvaja e tavanit në pjesën e kokës, duke e çarë lehtë. Menjëherë 14-vjeçari është dërguar pranë spitalit rajonal, ku ka mjekuar plagën dhe mjekët konfirmojnë se nuk ka pasur asnjë rrezik.
Masat
Për ngjarjen është lajmëruar drejtoria Arsimore, sektori i arsimit në bashki, si dhe ka ardhur inspektori i rajonit. Pas këtij të fundit në ambientet e shkollës kanë mbërritur edhe efektivë të sektorit të krimit dhe krimit ekonomik në drejtorinë e policisë së Vlorës. Efektivët kanë marrë të dhëna mbi firmën që ka kryer punime, kohën në të cilën janë kryer ato si dhe kanë verifikuar gjendjen në vend, duke nisur procedurat për çështjen. Nxënësit e klasës së tetë, të cilët kanë qenë të tronditur u është dhënë leje të shkonin në shtëpi, për t'iu kthyer mësimit ditën e nesërme. Klasa është mbyllur dhe nxënësit e klasës së tretë që kryejnë mësimin e pasdites janë vendosur në një klasë tjetër. Sipas drejtoreshës së shkollës, Violeta Brahimi, nesër pritet të ndërhyhet për riparimin, ndërkohë që po sipas saj, pas rënies së tavanit, do të shihet dhe gjendja e gjithë klasave të tjera, për më tepër siguri. Mësohetse shkolla është rikonstruktuar në vitin 2001, ku janë restauruar dhe tavanet. Mësues të saj pohojnë se ajo ishte e mirëmbajtur dhe nuk ka pasur deri tani asnjë shenjë të tillë. Ndërhyrja e fundit ishte kryer në muajin shtator të vitit të kaluar, ku thjesht shkolla është lyer. Policia do të vijojë hetimet për ngjarjen, e cila fatmirësisht nuk shkaktoi tragjedi.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›