E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetë të PD-së në zonën e varrit masiv në Dajt, kërkojnë hetime

Deputetë të PD-së kanë qenë sot të pranishëm në Dajt, në vendin ku janë gjetur eshtrat e 19 personave. Deputetja e PD-së, Mesila Doda tha se duhet hetuar për çdo rast të këtij lloji. "Ky është një vend ku duhet të kthehemi për të kuptuar përmasat makabre të krimeve të regjimit komunist. Ajo theksoi se lidhur me personat e vrarë nga komunizmi, Parlamenti do të miratojë ligjin e Kujtesës Kombëtare, por duhet të veprojë edhe drejtësia.
Ndërkaq deputeti Gent Strazimiri tha se ky vend duhet të jetë një vend pelegrinazhi. "Ky vend duhet të jetë një vend pelegrinazhi.Nuk mund të lëmë këto eshtra pa varr", u shpreh ai. Strazimiri propozoi që data 29 Nëntor duhet të jetë dita kur duhet të kujtohen personat e vrarë nga komunizmi.
Deputeti Eduard Halimi tha se parlamenti është vënë në dijeni ditën e djeshme për këtë ngjarje. "Por unë shpresoj që Prokuroria do të hetojë këtë krim. Nëse nuk del e vërteta në shesh, askush nuk mund të lëshojë akuzat. Ministria e Drejtësisë do të bëjë sa më parë ekspertizën për të hedhur dritë mbi këtë çështje", shtoi ai.
Eshtrat e 19 personave u gjetën në vendin e quajtur "Reparti 313" në Linz.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›