E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët: Na ktheni gradat!

Vendimi për shpërblime sipas kualifikimit është vetëm për personelin administrativ dhe mbështetës i Kuvendit

Deputetët i kanë kërkuar qeverisë kthimin e shpërblimit mujor në bazë të gradave apo titujve shkencorë që ata kanë. Me iniciativën e tyre, një grup deputetësh kanë paraqitur pranë komisioneve parlamentare projektligjin për shtesë në ligjin “Statusi i deputetit, i ndryshuar”. Sipas draftit, deputetët kërkojnë kthimin e shpërblimit në masën 5 mijë lekë të reja për kualifikimin dhe gradat shkencore që ata kanë marrë në profesion para se të bëheshin deputetë. Kërkesa e deputetëve bazohet në ligjin nr. 8550, datë 18.11.1999, “Statusi i deputetit”, i cili përveçse përcakton marrëdhëniet juridike që krijon deputeti për shkak të funksionit që kryen, garanton edhe të drejtat dhe përfitimet e tyre në fushën financiare. Konkretisht, deputetët kërkojnë që të bëhet shtesë në nenin 13, duke përfshirë shpërblimin mujor të tyre për kualifikimin shkencor në përputhje me gradën apo titullin shkencor përkatës. Në draftin e tyre, deputetët argumentojnë se, si rezultat i këtyre ndryshimeve, del nevoja që trajtimi i deputetëve me grada shkencore për kualifikimin e tyre, trajtim që ata e kanë pasur deri në fund të vitit 2007, të parashikohet në ligj. Sipas deputetëve, kjo përbën vënien në vend të një të drejte të fituar, si dhe mosvënien e tyre në nivelin e administratës publike. Përveç kësaj, deputetët në kërkesën e tyre argumentojnë se shpërndarja e shpërblimit mujor do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e legjislacionit të miratuar prej tyre. Ndryshimeve në ligj u është hapur rruga me miratimin e tyre në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku më pas do t’i kalojë për miratim Kuvendit. Deri në vitin 2007, deputetët përfitonin shpërblimin mujor nga kualifikimet dhe gradat shkencore në bazë të VKM-së së miratuar në vitin 2001. Më pas, në fund të vitit 2007, ky vendim u shfuqizua vetëm për deputetët, ndërkohë që personeli administrativ dhe mbështetës i Kuvendit vazhdonte të përfitonte shpërblim mujor në bazë të kualifikimit dhe bazave shkencore. Deputetët këtë e kanë cilësuar boshllëk ligjor dhe heqje e një të drejte të fituar. Por, ndryshe nga përcaktimi i deputetëve, Ministria e Financave shpjegon se heqja e shpërblimeve të deputetëve është kompensuar me shtesat e pagave që ata përfitojnë. Pra, sipas Financave, këto procedura kanë kompensuar shpërblimin mujor në masën e 5 mijë lekëve të reja që tërhiqej çdo muaj. Sakaq, numri i deputetëve që kanë grada shkencore nuk është shumë i lartë, çka mund të mos rëndojë buxhetin e shtetit. Nga 140 deputetë të Kuvendit, 42 prej tyre kanë tituj shkencorë dhe grada. Titullin “Profesor- Doktor” e gëzojnë vetëm 13 ligjvënës, 10 kanë titullin “Doktor”, ndërsa një tjetër është “Profesor i Associuar, Doktor”. Tre vjet nga fillimi i kësaj legjislature, 11 deputetë kanë mbaruar master, ndërsa 4 të tjerë janë kandidatë. Mes 140 deputetëve shqiptarë, vetëm një është magjistër, një deputet me gradën “Gjeneral” dhe një tjetër me gradën “Kolonel”.

Shpërblimet kanë qenë deri në vitin 2007

Deri në vitin 2007, deputetët përfitonin shpërblimin mujor nga kualifikimet dhe gradat shkencore në bazë të VKM-së së miratuar në vitin 2001. Më pas, në fund të vitit 2007, ky vendim u shfuqizua vetëm për deputetët, ndërkohë që personeli administrativ dhe mbështetës i Kuvendit vazhdonte të përfitonte shpërblim mujor në bazë të kualifikimit dhe bazave shkencore.

42 deputetë me tituj shkencorë

Nga 140 deputetë të Kuvendit, 42 prej tyre kanë tituj shkencorë dhe grada. Titullin “Profesor-Doktor” e gëzojnë vetëm 13 ligjvënës, 10 kanë titullin “Doktor”, ndërsa një tjetër është “Profesor i Associuar, Doktor”. Tre vjet nga fillimi i kësaj legjislature, 11 deputetë kanë mbaruar master, ndërsa 4 të tjerë janë kandidatë. Mes 140 deputetëve shqiptarë, vetëm një është magjistër, një deputet ka gradën “Gjeneral” dhe një tjetër ka gradën “Kolonel”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›