Kakome, hapet rruga për ndërtimin e fshatit turistik

VLORË - Këshilli i Rregullimit të Territorit të Vlorës, në një mbledhje maratonë i ka hapur më në fund rrugë ndërtimit të fshatit turistik të Kakomesë. Projekti turistik më i përfolur në këto vitet e fundit ka marrë “OK” për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit për investitorët francezë të “Club Med”. Mësohet se diskutimet për këtë projekt kanë vijuar me debate të ashpra mes anëtarëve të KRRT-së. Burime zyrtare pranë bashkisë thanë për gazetën “Korrieri”, se projekti i Kakomesë në total u votua me 12 vota pro dhe 4 kundër. Pra, me shumicën e anëtarëve të KRRT-së është miratuar shtyrja e afatit të lejes së Kakomesë. Sakaq, që prej vendimit të gjykatës, e cila i ka dhënë të drejtën shtetit si pronar të tokës, tashmë KRRT-ja prej ditës së djeshme i ka dhënë të drejtën firmës për të vijuar punimet. Rinovimi i lejes së ndërtimit në këshillin e rregullimit të territorit të qarkut ishte kthyer në ngërçin kryesor për vazhdimin e punimeve. Sot KRRT-ja e qarkut me shumicë votash e ka shtyrë sërish afatin e lejes së ndërtimit në Kakome, duke u hapur rrugë kështu investitorëve për të nisur punën për ndërtimin e fshatit turistik. Gjithashtu, këta të fundit, në një letër dërguar pak ditë më parë kryeministrit Berisha dhe prefektit të Vlorës, kanë qenë të gatshëm të afrojnë aksione bashkëpronësie në investimin turistik për banorët e zonës që kanë pretendime të faktuara. Ka qenë kjo arsyeja, e cila i ka hapur dritën jeshile realizimit të projektit. Konflikti mes banorëve e institucioneve shtetërore nisi në vitin 2005, kur qeveria miratoi projektin për ngritjen e fshatit turistik, projekt i cili u kundërshtua nga banorët që kishin pretendime pronësie në këtë zonë. Protestat e banorëve arritën deri në bllokim të rrugëve, kurse komisionet e pronave hodhën poshtë pretendimet e banorëve. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme të KRRT-së janë miratuar në total 15 projekte. Ndër më të rëndësishmit mund të përmenden ata me karakter infrastrukturor dhe planet e zhvillimit për disa komuna të qarkut, plani i zhvillimit të bregdetit, i financuar nga Banka Botërore, dhe ndërtimi i doganës në Qafë-Botë. Jamarbër Malltezi, koordinatori i projektit të planit të jugut, tha se projekti sjell sistemin e ndërtimeve pa leje dhe zgjidhjen e çështjes së pronësisë.
J.Xhaferi