Mjekët refuzojnë pacientët

Ndërpriten të gjithë operacionet në kardiokirurgji edhe për rastet më urgjente. Mjekët deklarojnë se nuk mbajnë përgjegjësi për jetën e pacientëve
TIRANË - Tanimë është çdo ditë e më e lehtë të humbasësh jetën, kjo vetëm se në spital nuk ka ujë. Gjendja tejet skandaloze e mungesës së ujit ka prekur përveç banorëve të kryeqytetit, edhe repartin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mjekët kirurgë të këtij reparti kanë ndërprerë operacionet në shenjë proteste, madje edhe për rastet më kritike dhe urgjente, deri në momentin që në çezmat e spitalit të mos mungojë uji. Shefi i pavijonit të Kardiokirurgjisë, Ali Alushani, deklaroi se mjekët nuk mbajnë përgjegjësi për jetën e pacientëve. “Drejtoria e QSUT-së të mbajë përgjegjësi për pacientët, pasi na premtoi furnizimin me ujë të pijshëm”, tha ai. Mjekët pohojnë se janë “refuzuar” edhe rastet urgjente, në të cilët vihej në pikëpyetje jeta e pacientit, por edhe në këto raste nuk ka pasur ndërhyrje nga ana e kirurgëve. Edvin Prifti, njëri prej kirurgëve të Repartit të Kirurgjisë, dha për “Korrierin”, se situata ka dalë jashtë çdo menaxhimi. “Operacionet janë ndërprerë dhe po qëndrohet në pritje të plotësimit të kërkesave, më kryesorja prej së cilave është uji i pijshëm. Ky është rasti i parë që ndërhyrjet kirurgjikale ndërpriten”, sqaroi ai. Sipas Priftit, gjatë këtyre ditëve kritike ka pasur raste kur ndërhyrjet kirurgjikale kanë qenë të nevojshme, madje nuk kanë munguar as rastet urgjente. “Por edhe në këto raste nuk ka pasur ndërhyrje nga ana e mjekëve”, u shpreh kirurgu i Repartit të Kirurgjisë. Pra, jeta e këtyre pacientëve fatkeq është në fije të perit. Përveç vuajtjeve që po u shkakton sëmundja e tyre, fati u ka rezervuar të jenë edhe viktima të “luftës” QSUT-ujësjellës. Sepse ata do të jenë të vetmit të cenuar nga ngjarja, kur gjithçka të qetësohet. Prifti sqaroi se, “rastet në të cilët operacionet kanë qenë të nevojshme, sidomos rastet urgjente janë lënë në pritje, por asnjëri prej tyre nuk i është nënshtruar operacionit”. Nuk është e çuditshme që mungesa e ndërhyrjeve kirurgjikale të sjellë edhe viktima, pasi nuk kanë munguar as rastet kur pacientë në pritje të operacionit kanë rrezikuar edhe jetën. Duke parë situatën në të cilën ndodhen këta të sëmurë, kërkohet një ndërhyrje emergjente për zgjidhjen e situatës, për të mos shkuar drejt një fundi fatal.