E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët bombardojnë me pyetje 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë

Përgjigjet për proceset politike, punën e drejtësisë dhe problemet e gjyqësorit

Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, përkatësisht Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj, janë “bombarduar” me pyetje nga deputetët e shumicës në Komisionin parlamentar të çështjeve Ligjore. Në Kuvend sapo kanë mbërritur përgjigjet e bëra nga tre gjyqtarët, të cilët u kanë kërkuar shpjegime dhe sqarime, dhe madje edhe mendime për punën e Gjykatës së Lartë deri tani, por edhe reformën në sistemin gjyqësor. Bie në sy se një nga pyetjet e para që u është bërë tre anëtarëve të dekretuar të Gjykatës së Lartë është mbi mundësinë e marrjes pjesë në procese politike. Gjithashtu, një tjetër pyetje e bërë nga deputetët është edhe nëse ka pasur presion gjatë punës së tyre, por edhe nëse kanë qenë të involvuar në lobin politik. Por një nga pyetjet më interesante që u është bërë tre gjyqtarëve njëkohësisht është: Paraqisni një kopje të një rekursi në Gjykatën e Lartë dhe vendim gjyqësori të dhënë të cilin ju e konsideroni më të arrirë profesionalisht? Por gjithashtu u kërkohet që të japin mendime për punën e deritanishme të Gjykatës së Lartë, si dhe nëse kanë marrë pjesë në aktivitete vullnetare ndaj shtetasve në nevojë. Po ashtu, një tjetër pyetje është edhe mbi rolin e Konferencës Gjyqësore, për të cilin prej kohësh po zhvillohet një debat publik mbi ekzistencën e një ligji.

Medi Bici

Anëtari i Gjykatës së Lartë i dekretuar nga Presidenti, përkatësisht Medi Bici, u është përgjigjur me gjerësi pyetjeve të deputetëve të shumicës. Në lidhje me pyetjen për pjesëmarrjen në procese politike, përgjigjja është se ai e ka nisur punën në gjyqësor në vitin 1993, pra pas rrëzimit të komunizmit. Në materialin e dorëzuar në Kuvend, z.Bici thekson se “pavarësisht se gjatë karrierës sime 17-vjeçare në sistemin gjyqësor kam nënshkruar tre dënime me vdekje dhe shumë burgime të përjetshme, nuk kam pasur asnjë lloj presioni”. Ndërkaq, për çështjen e kontributit vullnetar, z.Bici thekson se ka kontribuar financiarisht gjatë përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Në një vlerësim për punën e bërë deri tani nga Gjykata e Lartë, z.Bici thekson se “nga Gjykata e Lartë pak njihet dhe vlerësohet puna e gjyqtarëve të dy shkallëve të mëposhtme, duke çuar në mosvlerësimin e drejtë të vendimeve të dhëna prej tyre. Në një tjetër paragraf, anëtari i dekretuar i Gjykatës së Lartë thekson se “mendoj që praktika unifikuese e Gjykatës së Lartë nuk ka qenë e suksesshme”. Më poshtë, z.Bici mendon se dy nga sëmundjet e gjyqësorit janë korrupsioni dhe promovimet e pamerituara.

Sokol çomo

Anëtari tjetër i dekretuar në Gjykatën e Lartë, Sokol çomo, gjithashtu pyetjes për procese politike i është përgjigjur me vitin e nisjes së punës si gjyqtar, pikërisht në vitin 1994. Në lidhje me pyetjen për mendimin e tij për rolin e Gjykatës së Lartë, Z.çomo është përgjigjur në kompleks, duke vlerësuar si punë që duhet parë me kujdes, ku ka pasur dhe të metat e saj. Në lidhje me Konferencën Gjyqësore, z.çomo thekson se përpara se të bëhet ligji për Konferencën Gjyqësore, duhet zgjedhur modeli që duhet ndjekur: ai amerikan, apo ai europian. Në lidhje me pyetjen se “cilin konsideroni si vendimin më të dobët të Gjykatës së Lartë”, z.çomo nuk shprehet konkretisht, por jep një përkufizim sipas së cilit, vendimi më i arrirë është ai që merret me unanimitet nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe më i dobëti ai që merret me numër të kufizuar të anëtarëve.

Vexhi Muçmataj

Në përgjigjet e tij drejtuar Komisionit parlamentar të çështjeve Ligjore, anëtari i dekretuar i Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmataj, thekson se “gjatë detyrës sime nuk kamë pasur vendimmarrje për akte kryesore që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore, siç ishte vendosja e masës së arrestit, përfaqësim i akuzës, kërkesa për fajësi dhe masë dënimi”. Z.Muçmataj ka përgjithësisht një vendim pozitiv për punën e deritanishme të Gjykatës së Lartë. Në lidhje me Konferencën Gjyqësore ai thekson se “konferenca mund të mblidhet duke zbatuar drejtpërsëdrejti Kushtetutën”. Z.Muçmataj thekson se ka mendimin që “seancat gjyqësore në Gjykatën e Lartë duhet të jenë të hapura për publikun dhe duhen lejuar kamerat televizive dhe gazetarët të ndjekin e transmetojnë seancat, përveç rasteve kur kufizohen me ligj”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›