E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Gjoba ndaj Top Channel, shqetësuese

Përfaqësuesja për Lirinë e Medias, Mijatoviç, letër Metës dhe Nishanit

Qeveria shqiptare ka marrë zyrtarisht dje një shqetësim të radhës së komunitetit pas vendimit të një trupi gjykues të Gjykatës së Tiranës për të gjobitur televizionin “Top Channel” për publikimin e skandalit seksual të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Reagimi i radhës ka ardhur pikërisht nga një kancelari e rëndësishme e specializuar për çështjet e medias. Bëhet fjalë për zyrat qendrore të OSBE-së në Vjenë, ku një zyrtare shumë e lartë e kësaj organizate u ka dërguar letër dy ministrave shqiptarë, ku u bën të ditur se gjoba ndaj “Top Channel” është absurde dhe jo e drejtë. Pikërisht për këtë çështje, selia e OSBE-së në Vjenë ka lëshuar një njoftim për shtyp, në të cilin theksohet se përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, ka shprehur shqetësimin mbi gjobën e madhe ndaj një televizioni kombëtar në Shqipëri, i cili është i detyruar të paguajë një politikan, duke shtuar se masa e gjobës është disproporcionalisht e lartë. Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, Mijatoviç theksoi se “dëmshpërblimi për dëme morale duhet të jetë në proporcion të dëmit të shkaktuar dhe me situatën ekonomike në media apo gazetarit të përfshirë dhe kjo nuk duhet të krijojë një efekt negativ në situatën e medias në fjalë. Më 18 qershor të këtij viti, Gjykata e Tiranës urdhëroi televizionin ‘Top Channel’ që të paguante një gjobë prej 400 mijë eurosh për dëmet e shkaktuara ndaj ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, për transmetimin e disa filmimeve të bëra në mënyrë sekrete, të cilat e shfaqnin ministrin duke kërkuar favore në këmbim të një pune në ministri. Kjo solli edhe largimin e tij nga puna. Gjykata argumentoi se pamjet ishin siguruar në mënyrë të paligjshme dhe shkelnin të drejtën e privatësisë së ministrit Pango. E drejta për privatësinë duhet të jetë e balancuar kundrejt detyrës së medias për të informuar qytetarët rreth zhvillimeve që janë me interes publik”, u shpreh Mijatoviç. Roli vëzhgues i medias në çdo shoqëri demokratike kërkon gazetari investigative, duke përfshirë edhe shqyrtim të sjelljes dhe etikës së një zyrtari të qeverisë. Filmimi i ‘Top Channel’ synonte pikërisht këtë, që të hidhte dritë mbi qëndrimin profesional të një zyrtari dhe akuzave për abuzim”. Në fakt reagimi i djeshëm i përfaqësueses së lartë të OSBE-së për Lirinë e Medias, është vetëm një nga zërat e shumtë ndërkombëtarë që kanë dënuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për të gjobitur televizionin kombëtar shqiptar “Top Channel”. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi pak ditë më parë se Brukseli po ndjek me vëmendje të gjitha shqetësimet për cenimin e lirisë së medias. Ndërkaq, politikani i lartë europian, Joseph Daul, kryetar i grupit parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian, ka deklaruar se nëse do të ishte kryeministër do ta shkarkonte Pangon pas disa minutash. Ndërkaq, gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, i kushtoi një shkrim të veçantë gjobës së vënë për “Top Channel” nga Gjykata e Tiranës. Në artikullin e “The Guardian” shkruhej: “Gjobitet televizioni shqiptar që ekspozoi ministrin, i cili kërkonte seks”. Me këtë shkrim gazeta prestigjioze informonte lexuesit britanikë, se si një gjykatë shqiptare vendos një gjobë marramendëse ndaj një televizioni që zbuloi skandalin. Ndërkaq, kanë reaguar ashpër edhe organizmat e rëndësishëm të gazetarëve, si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, e cila e ka cilësuar rastin si skandaloz, që jep një precedent negativ për të gjithë median. Ndërkaq, edhe gazetarët shqiptarë e kanë cilësuar gjobitjen ndaj “Top Channel” si sulm ndaj fjalës së lirë dhe gazetarisë investigative.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›