Deputetët e Berishës, kundër zgjatjes së afatit të vettingut në drejtësi

Deputetët e Berishës, pjesë e grupimit për Rithemelimin e PD, nesër në Kuvend, janë kundër zgjatjes së afateve të vettingut. Kjo është bërë e ditur nga deputeti, Edi Paloka. Me anë të një postim në Facebook, Paloka e konsideron vettingun një “komision të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve që ka marrë vendime politike”.
Sipas Palokës, reforma në drejtësi është kthyer në farsë, teksa thekson se ditën e nesërme, do të kuptohet se cila është opozita e vërtetë dhe se cila është kthyer në ‘bishtin e Ramës’.
“Në pamundësi për te qenë nesër prezent në seancën parlamentare ku do te diskutohet dhe votohet për zgjatjen e afatit te komisionit të Vetingut, po bej publik qëndrimin tim “KUNDER“! Kush voton për ti zgjatur jetën një komisioni të përbëre nga familjarë të afërt të qeveritarëve, i cili në të gjithë aktivitetin e tij ka marrë vendime politike, duke kthyer në farsë reformën në drejtësi, është thjeshtë shërbëtor i Ramës në kapjen e plotë të drejtësisë! Deputetët që janë në atë Parlament, me votën e demokratëve, nuk mund të bëhen pjesë e një procesi të tillë. Nesër do të jemi përpara një fakti tjetër, që do të tregojë qartazi se cila është opozita e vërtetë dhe kush është kthyer në bishtin e Ramës me zi se ‘opozita e kërpëratës dhe jenisherit'”, shkruan Paloka.