Deputetët e PD-së i ankohen Berishës për emërimet
Në një shkrim të publikuar sot si kryeartikull në të përditshmen Panorama, thuhet se në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, deputeti Leonard Demi është ankuar se emërimet në drejtoritë në rrethe bëhen në mënyrë jotransparente.
Edhe pse po bëhen gati tre vite që janë ngritur grupet e punës për emërimet, sërish ka ankesa. Të bën çudi që thuajse ato të vetme lajme që dalin me pikatore nga mbledhjet e grupit të PD kanë të bëjnë me pakënaqësitë në emërime nga deputetët. Dhe nuk është një pakënaqësi pse nuk po bëhet punë e mirë, por pse këto emërime bëhen pa dijenin e deputetit, pa shpërblimin ndaj tij. Më së shumti këto ankesa drejtohen ndaj aleatit të përbindshëm, LSI-së.
Shkrimi
Ka qenë deputeti i qarkut të Vlorës, kryetari i Komisionit të Sigurisë së Kombëtare, Leonard Demi, i cili në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar demokrat ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj emërimeve jotransparente, por pa përmendur emra konkretë. Fillimisht ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili në pjesën me dyer të mbyllura të Grupit u ka kërkuar deputetëve të dalin në zonat e tyre për të shpjeguar përfitimet nga ana ekonomike e mbjelljes së arrorëve. Pas tij ka folur deputeti Demi, i cili është shprehur se lidhur me këtë proces mund të ketë abuzime për shkak të një lidhjeje të fortë mes kryetarëve të grupeve të punës dhe kryetarëve të PD-së nëpër rrethe. Kjo lidhje mes tyre nuk u jep aspak hapësirë deputetëve. Përgjithësisht kjo marrëdhënie ka ecur mirë, por në disa raste ka munguar transparenca e emërimeve. Menjëherë pas tij ka folur Kryeministri Berisha, i cili e ka mbështetur parimisht shqetësimin e deputetit të Sarandës. Unë e kam hedhur si ide edhe më parë dhe mund të ketë ndryshime të kryetarëve të grupeve të punës për shkak se ata kanë drejtuar grupet në dy palë zgjedhje, në 2009-n dhe 2011-n, mësohet të ketë thënë Kryeministri.