Paloka: Aleanca Kuq e Zi është partia e Bamir Topit
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, e lidh të ardhmen politike të Presidentit Bamir Topi me Aleancën Kuq e Zi. Në një intervistë për gazetën Shqip, Paloka thekson se kjo lëvizje e Presidentit ishte e ditur që më parë nga ana e grupit demokrat. Nga ana tjetër, deputeti demokrat flet edhe për atë çfarë ndodh brenda për brenda demokratëve. Sipas tij, ndryshimet në qeverinë e drejtuar nga Berisha duhet të jenë më të shpeshta dhe po kështu ka ardhur momenti që postet e larta në drejtimin e PD-së të ndahen nga ato qeveritaret. Kjo sipas tij, ju lë mundësinë sa më shumë demokratëve të jenë të përfshirë në drejtimin e partisë dhe në qeverisje.
Unë mendoj se deklaratat e fundit të zotit Topi kanë shprehur thjesht atë që dihej prej kohësh. Fakti që Aleanca Kuq e Zi po përdoret për të krijuar nesër një parti ku do të strehohen ata që më duket se do të ngelen jashtë politike pas një periudhe të caktuar kohe, është thënë vazhdimisht jo vetëm prej nesh, por edhe nga analistët. Pra në këtë kuadër, mendoj se zoti Topi ka konfirmuar diçka që dihej, nuk ka thënë ndonjë gjë të re, ka thënë Paloka.