E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKANDALI/ Si u shkarkua kreu i ALUZNI-t për pallatin e Sandrit

(E PERDITESUAR)- Ajo që ka ndodhur sot me drejtorin e ALUIZNI-t (agjencia e legalizimeve të ndërtimeve pa leje) në Tiranë është një ngjarje e rëndë. Ferdinand Shehu, të cilin e kishin shkarkuar më përpara nga detyra për abuzime brenda ALUIZNI-t, ishte emëruar drejtor për Tiranën. Më përpara Shehu kishte punuar si numri dy i kësaj agjencie pas Memisë. Por sot Shehu është shkarkuar nga detyra me argumentimin se ka punuar si hetues në kohën e komunizmit. Edhe pse nuk ka asnjë ligj lustracioni për një gjë të tillë, sërish Shehu ka rënë viktimë. Situata bëhet edhe më qesharake pasi Shehu, si inxhinier mekanik, punonte në hetuesi thjesht si një ekspert. Por këto gjëra bëhen edhe më të parëndësishme po të mësosh se kush është motivi i vërtetë pas këtij shkarkimi. Shumë prej nesh e kujtojnë drejtorin e TV Klan, Aleksandër Frangaj, kur ulërinte në studion e tij në emisionin Opinion se Berisha ka dështuar me legalizimet. Në të vërtetë Shehu kishte penguar legalizimin e pallatit pa leje të Frangajt. Kjo është arsyeja e parë për shkarkimin e tij. Ndërkohë, arsyeja e dytë është po kaq e fortë. Shehu, të cilin tani demokratët e shkarkojnë si spiun të komunizmit, ka qenë në listën e tyre për deputet në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2009. Si ka mundësi që demokratëve u paska hyrë në vallë një spiun? Po ashtu, si ka mundësi që PD nuk heq ata spiunë e eksponentë të komunizmit që i ka gjithandej, por shkarkon Shehun? Arsyeja është e thjeshtë: ai ishte shefi i grupseksionit të PD për njësinë 5, ku Basha u nda shumë keq me vota në këto zgjedhje. Për këtë arsye u sakrifikua Shehu, siç janë shkarkuar e ndëshkuar edhe të tjerë njerëz si drejtori i stadiumit Qemal Stafa, etj. Kjo sigurisht nuk zbeh arsyet e shkarkimit të parë të Shehut, kur ishte nëndrejtor i përgjithshëm, dhe kapej duke abuzuar. Së fundmi ALUIZNI është nën akuzë për abuzime dhe për dështim.

Njoftimi i plotë i ALUIZNI: Ja si shkarkohet një zyrtar në ditët e sotme

Suksesi i reformës për ligjërimin e pasurive informale, si një sfidë e rëndësishme e Qeverisë Shqiptare, ka treguar me rezultate, se ka përmbushur pritshmëritë dhe objektivat për të cilat është ndërrmarrë.

Natyra tërësisht publike e veprimtarisë dhe vlerësimi maksimal ndaj transparencës, si detyrim ligjor dhe si një pikë kyçe në funksion të suksesit, na obligon të mbajmë qëndrim të hapur ndaj personave, fenomeneve e veprimeve antiligjore, bashkëudhëtare të procesit.

Krahas punës voluminoze e komplekse, përkujdesja e vazhdueshme e Institucionit, ka qenë e mbetet dhe ruajtja e integritetit institucional, përmes përzgjedhjes së funksionarëve e nëpunësve me integritet moral e profesional. Për fat të keq, kjo përzgjedhje jo çdo herë ka qenë e duhura, madje dhe në nivele të larta drejtuese të Agjencisë.

Rasti i drejtorit, të ALUIZNI-t për Qarkun e Tiranës, dëshmon se si mungesa e integritetit personal, ka cënuar performancën në zbatimin e detyrimeve ligjore. Cështë më e rëndësishmja ajo tregon se si një funksionar publik, ka mashtruar në mënyrë zyrtare organet emëruese, përmes manipulimeve në jetëshkrim duke lënë jashtë tij, një eksperiencë pune 4 vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës, (Urdhëri nr.8 datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme). Pa përfshirë këtu periudhën një vjeçare të kryerjes se kursit, pranë Hetuesisë së Përgjithshme, gjithashtu e fshirë nga jetëshkrimi. Mungon në këtë jetëshkrim dhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik (shkresa nr. 272, datë 13.04.1992) në profilin e kriminalistikës.

Në funksion të vlerësimit që ndaj mbi parimet morale të drejtësisë, ndershmërisë e sinqeritetit si dhe ndjeshmërisë ndaj një pjese të madhe të opinionit publik, interesat e të cilit janë të lidhura me procesin e legalizimit, vendosa për shkaqet e mësipërme, lirimin e menjëhershëm nga detyra të Z. Ferdinand Shehu, si drejtori i ALUIZNI-t për Qarkun e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›