E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PD-së kundër dekreteve të Presidentit

Tiranë- Deputetet e Partisë Demokratike janë shprehur kundër procedurës së ndjekur nga Presidenti i Republikës lidhur me dekretet për emërimin e 5 gjyqëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas një seance të zgjatur Komisioni i Ligjeve ka vendosur t’i drejtohet me dy raporte Parlamentit. Deklarata është bërë nga kreu i komisionit, Fatos Beja pas përfundimit të seancës. Sipas Bejës, opozita dhe maxhoranca do të dalin me raporte të veçanta për dekretet. Maxhoranca, me shumicë votash vendosi të paraqesë në Kuvend një raport ku shprehet kundër procedurës së ndjekur nga Presidenti për prurjen e kandidaturave. Më pas, sipas saj, do të kërkojë në seancë të vendosë nëse duhen kaluar emrat për votim apo jo. Në debatin gjatë seancës, maxhoranca deklaroi se Presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin paraprakisht ashtu si e parashikon vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005. Ndërsa opozita u shpreh se Kuvendi nuk ka të drejtë të diskutojë mbi procedurën, por të hedhë emrat në votim në seancë plenare. ”Ne kërkojmë votim”- ka deklaruar opozita, e cila u shpreh pro dekreteve të Presidentit duke përfshirë edhe emrat. Deputetët e opozitës u përfshinë gjatë seancës në diskutim ehde për emrat e përcjellë, ndërkohë që maxhoranca nuk mori fare pjesë në diskutimin lidhur me emrat e dërguar nga Presidenti. “Komisioni nuk është marrë me emra konkretë, por me procedurën e emërimit të këtyre gjyqtarëve”- tha fatos Beja gjatë një deklarate pas senacës së Komisionit të Ligjeve.  Seanca u zhvillua gjatë paradites me dyer të hapura. Vendimi u mor me votim nga anëtarët e këtij komisioni, 9 prej të cilëve votuan pro seancës me dyer të hapura ndërsa 8 votuan kundër. Një ditë më parë kryetarja e Kuvendit, Topalli deklaroi se dekretet do të shqyrtohen në komision. “Do të bëhet shqyrtimi i dekreteve në Komisione të cilat do të vendosin lidhur me to. Kuvendi ka meritë për emërimet në Gjykatën e Lartë. Jam konsultuar me konstitucionalistë për dekretet e Presidentit”- tha ajo.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›