Franca barazon me Rumaninë, ndërlikon kualifikimin
Skuadra e Domenekut nuk është shfaqur në asnjë moment e rrezikshme, ndërsa rumunët e kanë merituar barazimin
Franca dhe Rumania kanë regjistruar dje barazimin e parë të Euro 2008-ës, rezultat që natyrisht ka lënë më të kënaqur ballkanasit. Ishte një barazim i thatë, sepse 90 minutat nuk kanë dhuruar asnjë emocion, gjë që e vërtetojnë më së miri edhe statistikat e ndeshjes. Vetëm një gjuajtje në kuadratin e portës për të dyja skuadrat, ajo e Karim Benzemasë në pjesën e dytë, që është neutralizuar pa problem nga portieri rumun, Bogdan Lobont. Franca e nisi ndeshjen me dyshen Anelka-Benzema, që nuk dha atë që pritej, ndoshta ngaqë mbrojtja rumune ishte shumë e kujdesshme dhe nuk la hapësira për ta. Francezët patën iniciativën në pjesën e parë, ndërsa rumunët luajtën të tërhequr, duke shpresuar në ndonjë kundërsulm të Mutusë. Megjithatë, asnjë nga sulmuesit nuk arriti t'i vinte në provë serioze portierët Lobont dhe Kupe. I vetmi kërcënim i të besuarve të Domenekut ishte ai i Anelkasë, i cili, pas skemës së aplikuar në një goditje këndi, në momentin final, ka gjuajtur në mënyrë të gabuar me kokë. Vetëm kaq gjatë pjesës së parë për blutë, pasi Benzema, Maluda dhe Riberi nuk dhanë asnjë shkëndijë. Nga ana tjetër, rumunët ishim mjaft kompaktë në lojën mbrojtëse dhe për të rrezikuar provuan me anë të goditjeve standarde, që nuk sollën rezultat.
Pjesë e dytë nisi me vrullin e francezëve dhe u duk se do kishte më shumë ritëm, por pas gjuajtjes së fuqishme të Maludasë, në minutat e para, edhe kjo jashtë kuadratit, loja iu rikthye monotonisë së pjesës së parë. Franca filloi gradualisht ta ndiente presionin e rezultatit dhe loja e saj u bë qartësisht e lexueshme nga rumunët. Këta të fundit fituan më shumë besin në marrjen e një rezultati pozitiv dhe e kishin më të lehtë ta kontrollonin kundërshtarin. Trajneri Domenek i zëvendësoi të dy sulmuesit e tij, por edhe ata që u futun në fushë nuk ndryshuan asgjë. Anelka i la vendin Gomisit, ndërsa Benzema u zëvendësua nga Nasri, një lojtar me më shumë fantazi, por edhe ai nuk mundi të filtronte asnjë top në zonën rumune. Trajneri Piturka i bëri të tre zëvendësimet dhe në fund mori atë që dëshironte, barazimin. Përtej rezultatit, mund të thuhet se ndeshja mes Francës dhe Rumanisë ishte ndoshta më e dobta që është luajtur deri tani në Euro 2008. Ky barazim i ndërlikon jo pak llogaritë e finalistëve të kampionatit të fundit botëror, megjithatë, trajneri i tyre, Rajmond Domenek, shpesh i kritikuar për zgjedhjet e tij, e ka duartrokituar skuadrën. Dy ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për francezët, të cilët janë kuotuar si pretendentë të fortë për trofeun. Dhe dy kundërshtarët, Italia kampione bote dhe Holanda e Van Bastenit, janë vërtet shumë të vështirë për t'u kaluar.
Fatjon RUPI