Politika, larg duart nga Prokuroria
Shoqata e Prokurorëve mbështet Ina Ramën dhe kërkon t’i japë fund ndikimit politik
TIRANË- “Politika të qëndrojë larg Prokurorisë dhe të mos ndikojë në këtë sistem”. Ky është thelbi i deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve të Shqipërisë, të cilët i dhanë mbështetje kryeprokurores Ina Rama. Sipas njoftimit për shtyp, të lëshuar nga zyra e kreut të Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, shoqata ka dënuar ato që cilësohen prej tyre si fryma denigruese të mbajtura nga institucione e persona me pushtet e imunitet, duke kërkuar dhënien fund të këtyre praktikave që pengojnë hetimin e gjithanshëm si dhe procedimin e barabartë dhe të drejtë të çdo autori të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Ndërkohë, kreu i kësaj shoqate njoftoi se prokurorët kanë vlerësuar punën e organit të akuzës, qëndrimet institucionale të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe ndryshimet e fundit që ky institucion ka pësuar në sektorë të ndryshëm. Ky reagim i prokurorëve të vendit erdhi në fund të një mbledhjeje të organizuar prej tyre, ku gjithashtu me shqetësim konstatohej intensiteti në rritje i krimit të organizuar. Shoqata e Prokurorëve u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të saj në të gjitha shkallët e procedimit penal të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe objektivitet në ushtrimin e detyrës, duke mënjanuar çdo lloj ndërhyrjeje e presioni, pavarësisht se nga vjen ai dhe çfarë qëllimi synon. Shoqatainkurajon, në mënyrë të posaçme prokurorët, anëtarë të saj, që procedojnë në çështje penale të rëndësishme, që kanë për autorë anëtarë të grupeve kriminale si: të ashtuquajturat “Banda e Aldo Bares”, të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, çështjen penale të “Gërdecit”, si dhe procedimet penale në fushën e korrupsionit. Në këtë deklaratë konstatoheshin gjithashtu përmirësimet e ndjeshme në veprimtarinë e institucionit, në hetimin, zbulimin dhe procedimin e veprimtarisë kriminale, si dhe rritje e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera shtetërore. Shoqata kërkon gjithashtu të këtë rol aktiv në diskutimin e projekteve të paketës ligjore pjesë e reformës në drejtësi.