E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS akrobaci mbi kokat e policëve

19/05/2011  Tension përpara derës së KQZ nga militantët socialistë

Në orët e para të mëngjesit është krijuar një situatë e vështirë për policinë, e cila ishte rreshtuar para derës së KQZ-së, me kërkesë nga kjo e fundit, për të siguruar një situatë normale dhe për mos lejuar hyrjen e deputetëve të PS-së, të cilët një ditë më parë kishin bllokuar punën e këtij institucioni. Turma e revoltuar shtynte deputetët e PS-së, të cilët përpiqeshin të kalonin gardhin e policisë dhe murin e KQZ-së për të hyrë brenda. Në fakt, kjo lloj tentative ishte fare e kotë, pasi gardhi i krijuar nga policia ishte dhe në derën hyrëse të KQZ-së.

Deputetët

Megjithëse ishte marrë një vendim që një ditë më parë nga ana e grupit parlamentar, dje përpara KQZ-së ndoshta nuk ishte mbledhur ajo turmë që pretendonte PS-ja. Thjesht militantët e përhershëm që kanë qëndruar këto ditë përpara selisë së PS-së ishin zhvendosur në rrugën përpara KQZ-së, duke krijuar dhe skena që nuk ishin dhe aq të këndshme për sytë e publikut. Në fillim çau gardhin ish-deputeti i PD-së Paulin Sterkaj, i cili ka kaluar si krahu i fortë në PS tashmë. Më pas Sterkaj u ndoq dhe nga deputetët Tahiri, Lutaj dhe Balla, i cili u dëmtua paksa gjatë ngjitjeve akrobatike mbi skafandrat e policëve. Në këtë situatë shtyrja bëri që të zmbrapsej disi kordoni i parë i policisë, por vetëm për një çast, sepse kontrolli u vu sërish. Një konflikt u vu re dhe mes militantëve të PS-së, të cilët nuk u mor vesh mirë pse filluan të rrihnin njërin prej tyre, i cili, me sa dukej, nuk ishte aq aktiv në shtyrjen e forcave të policisë.

Brenda KQZ-së

Duhet theksuar se, megjithëse në krye të turmës ishin vërtet deputetë të PS-së, sërish nga ana e turmës u hodhën sende të forta dhe u vunë re dhe policë të dëmtuar. Një tjetër polic u dëmtua gjatë goditjeve të deputetëve, që grushtuan mbi personin që po kryente detyrën. Gjithsesi, nuk u raportuan persona të dëmtuar nga ana e protestuesve të PS-së. E gjithë kjo situatë ka shkaktuar dhe një lloj amullie në KQZ, e cila është reflektuar te personat që ishin aty. Ndërsa jashtë po protestohej, ekzistonte në eter një lloj frikë dhe te vetë gazetarët apo administrata e KQZ-së, që po kryenin detyrën, se çfarë mund të ndodhte në rast se militantët e egërsuar do të kalonin gardhin dhe derën e ruajtur nga policia. Por kjo nuk ndodhi falë dhe qetësisë dhe profesionalizmit të forcave policore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›