Malaj dhe Harasani: Vendimi për bojkotin, i gabuar
Ndonëse të paktë në numër, zërat kundërshtues ndaj kryetarit në detyrë Edi Rama nuk kanë ngurruar të kritikojnë vendimin për bojkotimin e Parlamentit nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Miratimi i vendimit për bojkot është cilësuar mjaft i gabuar nga deputetët socialistë Andis Harasani dhe Arben Malaj.
“Duhet të hyjmë në Parlament dhe të luftojmë për të arritur atë drejtësi që kërkojmë. Nëse dalim nga Parlamenti nuk do të lejojmë të arrihen standardet që kërkohen”, - tha Harasani. Ai sqaroi se kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, paraqiti një dosje ku u bënë me dije kushtet për të mos hyrë në Parlament. Edhe deputeti tjetër socialist, Arben Malaj, tha se Partia Socialiste duhet të bëjë opozitën e saj në Parlament, pavarësisht mungesës së standardeve në zgjedhje. “I gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është unik në vlerësimin që i bënë zgjedhjeve të 28 qershorit. I konsiderojmë zgjedhje me standarde të cunguara. Përsa i përket veprimit politik, PS-ja mund ta maksimizojë eficiencën e saj brenda në Parlament. Jo bojkotit, por një opozitë efikase në institucionet e shtetit”, - tha Malaj. I pyetur nëse do ta thyente këtë vendim të Grupit, deputeti socialist tha: “Brenda një force politike do të respektojmë qëndrimet e shumicës politike”.
7 Shtator 2009