FRESSH: Vizat, shqiptarët jo të fundit, por Qeveria
Forumi Rinor Eurosocialist zhvilloi të shtunën në mesditë një tubim përpara godinës së Ministrisë së Jashtme. Të rinjtë eurosocialistë protestuan pas deklaratës së bërë nga kryediplomati në lidhje me ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave. “Kjo kuti e madhe e mbyllur dhe e vjedhur, pranë së cilës jemi mbledhur është Ministria jonë e Jashtme e dallavereve të brendshme. Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur para disa ditësh doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Evropë për një arsye absurde; Sepse jemi të fundit! Zoti Ministër i Jashtëm, nuk jemi të fundit ne. I fundit je ti që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit, për të vetmen arsye sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt, që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është qeveria jote që vjedh edhe tunele. Nuk jemi të fundit ne. Të fundit janë ministrat e qeverisë, ku paturpësisht bën pjesë ti, ata ministra që ministra mbetën edhe pasi shpërthyen gërdeca dhe vodhën miliona. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është administrata jote e kësaj ministrie, që nuk e kemi dëgjuar kurrë të japë ndonjë zgjidhje inteligjente apo të tregojë ndonjë shkathtësi diplomatike në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Elisa Spiropali, përfaqësuese e FRESSH-it. Ajo theksoi se “nuk jemi të fundit ne. E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta. Nuk jemi të fundit ne. Më i fundit dhe më i prapambeturi ndër të gjithë ne je ti me aleancat e tua të dallavereve dhe qeverinë tënde të korruptuar. Zoti Ministër i jashtëm, ne nuk jemi të fundit. Ne meritojmë të lëvizim të lirë si një popull evropian. Të fundit jeni të gjithë ju!”.