Deputetët e opozitës theksojnë se beteja politike bëhet në Kuvend
Deputetët e PS-së, Arben Malaj dhe Andis Harasani, nuk kanë hezituar të shprehen publikisht në lidhje me vendimin e marrë nga grupi i PS-së për bojkotimin e Kuvendit, duke deklaruar se ata janë kundër, por do ta respektojnë vendimin e shumicës. Para mediave, deputeti Malaj ka theksuar se "kjo forcë politike mund të maksimalizonte eficencën e saj brenda Parlamentit me të gjitha mënyrat demokratike të mundshme". Ai ka theksuar se "bojkotin nuk e shoh si mënyrën më të mirë. Ne mund të kushtëzojmë brenda institucioneve dhe kushti kryesor të ishte integrimi i vendit. Në momentin që ngec integrimi, atëherë mund të kërkojmë zgjedhje të parakohshme". Por, pavarësish mendimit ndryshe, Malaj ka saktësuar se "brenda një force politike duhet të respektojmë vendimet e shumicës". Kundër bojkotit të kuvendit është shprehur edhe deputeti Harasani, i cili ka theksuar fort se PS-ja nuk duhet të merret me bojkote. Ai ka theksuar se grupi i PS-së ka rënë dakord për t‘i quajtur me legjitimitet të cunguar zgjedhjet. Sipas Harasanit, PS-ja duhet të hyjë në Parlament për të luftuar dhe për të arritur atë drejtësi që kërkon. "Nëse dalim nga Parlamenti, ne nuk do lejojmë arritjen e standardeve që kërkohen", tha Harasani, i cili ka shtuar më tej se Rama nuk mbajti fjalim në mbledhjen e grupit kuvendor të PS-së, por nëpërmjet një dosjeje u bënë me dije kushtet e selisë rozë për mos të hyrë në Parlament.