Mbledhja e grupit degjeneron në sharje personale mes deputetëve
Mbledhja e parë e grupit parlamentar të PS-së, ndryshe nga herët e tjera, nuk është zhvilluar në ambientet e selisë rozë, por në një nga sallat e hotelit "Tirana". Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, që mbledhja do të zhvillohej në orën 11:00 të paradites, deputetët kanë arritur të jenë të gjithë në sallë vetëm rreth orës 12:00, ku i fundit ka mbërritur kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama. Më pas, për gati dy orë, deputetët e PS-së kanë diskutuar me njëri-tjetrin nëse duhet të jenë prezentë ditën e hënë në sallën e Kuvendit apo jo. Nga burime brenda grupit të PS-së mësohet se debatet kanë qenë të forta në lidhje me marrjen e këtij vendimi mes pesë deputetëve Blushi, Malaj, Harasani, Islami e Bello, me kryetarin Rama dhe disa nga deputetët e tjerë të cilët mbështesin idenë për bojkot. Këto debate kanë qenë aq të ashpra, sa shumica e tyre kanë precipituar edhe në diskutime personale mes tyre, siç ka qenë debati i zhvilluar mes deputetit Blushi dhe deputetes së Durrësit, Rudina Seseri. Kjo e fundit, kur ka marrë fjalën për të shprehur qëndrimin e saj pro kryetarit të PS-së, Rama, për të bojkotuar hyrjen në Kuvend të grupit parlamentar, nuk ka hezituar t‘i kujtojë deputetit Blushi që në deklaratat e tij mediatike të mos merret me kohën kur ajo ka ardhur në PS. "Ndonjë këtu, si Beni, merret me vitin kur kam ardhur unë në Partinë Socialiste", mësohet nga burimet që të jetë shprehur Seseri. Mirëpo vetëm përmendja e emrit ka mjaftuar për të shkaktuar reagimin e Blushit, i cili i ka kërkuar deputetes Seseri të saktësojë se për cilin Ben e kishte fjalën dhe deputetja Seseri i ka saktësuar se bëhej fjalë për të, për Ben Blushin. Ky saktësim i ka dhënë mundësinë Blushit të reagojë më hapur dhe mjaft ashpër ndaj Seserit, duke deklaruar në mes të mbledhjes së grupit parlamentar që të mos merrej me emrin e tij. Pas ngritjes së zërit mes Seserit dhe Blushit, ky i fundit i është drejtuar deputetes së Durrësit, duke e cilësuar "budallaqe", ndërsa duke iu drejtuar kryetarit Rama, Blushi ka theksuar se "nuk e ke fajin ti, por ky që e ka mbushur grupin me budallenj si puna jote". Burimet bëjnë të ditur se këtu është rritur tensioni në grup, pasi ka ndërhyrë edhe kryetari Rama, i cili i ka kujtuar Blushit se nuk mund të guxojë të fyejë asnjë deputet të PS-së në mbledhje. Por ky paralajmërim i Ramës nuk ka pirë ujë te Blushi, i cili duke iu drejtuar dhe vetë kryetarit, i ka shtruar pyetjen: "Po ti kush je që flet?", duke e acaruar mjaft Ramën, i cili ka reaguar ashper duke i thëne Blushit se "unë te nxjerr ne rrugë, te flak nga grupi" ka qenë ndërhyrja e deputetit Pandeli Majko, i cili për të qetësuar situatën ka kërkuar pesë minuta pushim. Kjo kohë ka qenë më se e mjaftueshme për të ulur nervat si të Blushit, ashtu edhe të Ramës, të cilët më pas kanë nisur sërish normalisht mbledhjen, duke e kthyer debatin te çështja për të cilën ishin mbledhur: ta bojkotonin ose jo seancën e parë të Parlamentit. Pas diskutimeve të tjera është rënë dakord me 60 vota pro që grupi i PS-së duhet ta bojkotojë Kuvendin dhe se duhet ngritur një grup pune që do të përpilojë modalitetet e rikthimit të mundshëm të grupit parlamentar të PS-së sërish në Kuvend.