E Diel, 1 Nëntor 2026

Rigjetja e pasionit

1.

Pavolin e kishin mërzitur pyetjet. Lufta në Kosovë kishte përshkallëzuar me bombardimet e NATO-s, e interesimi në Washington, ku po kalonte një vit specializimi ishte gjithnjë e më shumë në rritje dhe në mungesë të ndonjë evropiani në ambientet ku sillej, pyetjet do t‘i adresoheshin atij, profesorit të biologjisë që u bë njëri prej aktorëve të revoltës antikomuniste në Sllovaki, pastaj këshilltar i Presidentit dhe ish ministër i jashtëm i vendit. "Jo, nuk ka ngjashmëri kjo puna e Kosovës me ngjarjet në vendin tim, ne kishim divorc të mëndafshtë", "Po Kosova është në Evropë, por ata janë në juglindje ne jemi në Evropë Qëndrore". "Jo nuk janë larg, dy orë fluturimi, por në Evropë çdo gjë është afër..."

Në njërin prej debateve, Pavolit, pas pyetjes rituale të gabueshme do t‘i arrijë një tjetër, se a është e interesuar të shkojë në Kosovë, ai do të përgjigjej se po, pyetësi do t‘ia premtojë biletën e avionit dhe paratë e qëndrimit, premtimin do ta mbajë dhe ai do të gjendet në Kosovë ditët e fundit të gushtit të vitit 1999.

Do të mbërrijë me një kamerë fotografike për të zënë ditët e para të Kosovës së pasluftës, do të hyjë në zyren time dhe në parkun e qytetit, me koincidencë në veturën e mikut tim Afrimit që do ta çojë nëpër Kosovë. Do të zë pamje të një kohe, përfshi edhe shtëpinë e Afrimit në Pejë, ende me erë djegie, do të shpëtojë nga ajo një copë qelqurina të atyre të kuzhinës dhe do ta çojë prapa në Bratisllavë.

Do të vijë këtë javë në Prishtinë, pas dhjetë vjetësh, për të bërë të njëjtën xhiro si atëherë, duke fotografuar njerëzit dhe vendet e vizituara. Do të ketë dy synime. Një, të botojë një libër me pamje krahasuese, të tanishme dhe të atëhershme. Dy, të ripërjetojë ndjenjën e atëhershme. Pasionin.

2.

Josep Ramoneda i shpjegonte të birit, Tonit, se pasioni tashmë nuk ekziston. Gjegjësisht se koha e pasionit në politikë kishte vdekur me fundin e konfrontimeve ideologjike, e ky fund do të shënohej së bashku me atë të Murit të Berlinit. Pastaj u ul dhe i shkroi disa mendime në artikuj, e pastaj gjatë një vere, duke vjedhur kohë prej bashkëshortes dhe vajzës, u ul dhe këto mendime i hodhi në një libër, "Pas pasionit politik" (Punto de lectura, Madrid, 2002).

Një ditë maji të vitit 1999, në kulm të luftës së Kosovës e duke dalë nga dera e shtëpisë së filozofit francez Glucksman, filozofi katallonas do të merrte me vete pyetjen që e kishte bërë pas Luftës së Dytë Botërore Adorno, se a është e mundshme të mendosh pas Auschwitzit? Dhe përgjigja vazhdon të jetë e njëjtë, thotë në libër Ramoneda, sepse ndërsa atëherë kërcënimi ishte zhveshja e plotë nga humaniteti, tash "kërcënimi është totalitarizmi i indiferencës".

3.

Vizatuesi portugez i kishte hyrë punës me pasionin e tij - personal, vetëm të tijin, individual, artistik - ende të gjallë. Mbërriti në Prishtinë me ftesën e kolegut të tij, vizatuesit të njohur të stripit Gani Jakupi, që tash jeton e punon në Barcelonë. Doli në qytet dhe aplikoi teknikën që tashmë ia kishte lehtësuar punën: fotografonte objektet e njerëzit, i hynte menjëherë skicimit të vizatimeve që shpejt do të transformoheshin në tablo stripi, e pastaj do t‘i ngjyroste duke u mbështetur në fotografitë dixhitale. Kur fotografoi një godinë që po ndërtohej, kryepunëtori erdhi, ia rrëmbeu me pasionin e tij - personal, individual, vetëm të tijin - kamerën dhe e theu.

Vizatuesi nuk do të mund të kuptonte se nuk qe e lejuar të fotografohej një godinë që po ndërtohej në qytet. Kryepunëtori nuk mund t‘i shpjegonte se në këtë qytet duhet të mbretërojë indiferenca ndaj objekteve në ndërtim; kamera është shenjë se dikush po interesohet, pra po e thyen indiferencën. Qyteti po ndërtohej pa nevojën e të kuptuarit si, nga qytetarët e tij. Dhe kamera u thye. (Portugezit ia paguan kamerën kur morrën vesh se është portugez - fakti që nuk është vendor e diskualifikonte nga obligimi i të qenit indiferent).

4.

Po të bëja skenar stripash do të sugjeroja tre gazetarë të mediumeve pro-qeveritare kosovare që rastis t‘i takoj në një terracë kafeneje. Ngrihen në këmbë kur flasin në telefon me shefat e tyre politikw apo ekonomikw, përmendin emra VIP-ash dhe konfidencat intime të tyre thuajse kanë kaluar natën nën shtrat, gajasen me barsoletat e atij që i paguan pijet dhe drekën e janë të gatshëm të shkruajnë kundër çdokujt që do të përpiqet të shkruajë për pasionet dhe kundër indiferencës.

Më rastisi të mendoja për ta ndërsa lexoja një artikull për krimbin e mëndafshit. Shkencëtarët kinezë, pas studimit gjenetik të krimbave të mëndafshit, krahasuar me ata të rëndomtë, tregojnë se 354 gjene të krimbit të mëndafshtë, të lidhura me aftësinë prodhuese të tij, e dallojnë prej krimbit të rëndomtë. Krimbat e mëndafshit kanë humbur, thonë shkencëtarët, aftësinë e të fluturuarit kur bëhen flutura.

Si ishte i mundur ky ndryshim mes krimbave të mëndafshit dhe atyre të rëndomtë? Pesë mijë vjet evolucion, thonë shkencëtarët.

Sa vjet do t‘u duheshin gazetarëve servilë qeveritarë për t‘u shndërruar në të lirë, do të ishte pyetja që do të rridhte nga asociacioni, i pavullnetshëm, me krimbat?

Por, pyetja, në këtë rast është e gabuar, ngase nuk duhet bërë për kohëzgjatjen e evolucionit, por për kahen e tij. Gazetarët e stripit imagjinar dikur ishin pjesë e mediumeve të lira, pa kontroll qeveritar. Tash janë shërbëtorë të pushtetit. Shkencëtarët kinezë nuk hyjnë në punë për të shpjeguar një fenomen të këtillë. Më shumë i vjen radha, do të thoshte Ramoneda, një filozofi të shekullit XVI, Etienne de la Boetie, i cili duke u përgjigjur pyetjes se prej nga rrjedh "serviliteti i vullnetshëm" u përgjigj me tri arsye. E para ishte tradita, pra janë servilë me vullnet ata të cilët janë mësuar që më herët të shërbejnë. E dyta, janë servilë ata të cilët, sikur tre personazhet e stripit, janë të mistifikuar me pushtetin. Dhe e treta, janë servilë ata të cilët, sikur këto personazhe, gjejnë interes në të shërbyerit e pushtetit.

5.

Pavoli nuk kishte shumë nevojë për shpjegime të gjendjes në Kosovë. Kur vdiste pasioni i luftës së ftohtë në Sllovaki, dilte në sipërfaqe, siç do të shpjegojë më vonë Ramoneda, pushteti politik cullak, i atillë çfarë është, me idenë e dominimit politik dhe ekonomik të strukturave të reja, me korrupsionin si fenomen i natyrshëm i këtij pushteti të pakontrolluar. As portugezi nuk kishte nevojë për shpjegime; Camus kishte thënë më herët se filozofia ishte e kuptueshme me tablo vizuale. Portugezit i mjaftonin pamjet e kryepunëtorit që ia thyen kamerën e rrezikshme e po të kishte qëlluar me mua do t‘i shihte edhe gazetarët qeveritarë, në gjah e sipër ndaj kujtdo që do të manifestojë ndonjë dëshirë që të trazojë, atë, indiferencën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›