E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cvetkovic: Mos sulmoni!

Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic, ka reaguar ndaj sulmit të delegacionit serb, që kishte ardhur në Prishtinë të mërkurën për të punuar rreth çështjeve të kadastrit. Sulmi ka nxitur edhe reagimin e lehtësuesit të dialogut Robert Cooper, i cili tha se akte të tilla nuk janë në pajtueshmëri me frymën e dialogut. Kundër incidentit doli edhe Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë –Serbi, Robert Cooper ka reaguar ndaj sulmit që i është bërë delegacionit serb të mërkurën në Prishtinë, që kishte ardhur për të diskutuar rreth çështjes së kadastrit.

“Ne dënojmë sulmin e djeshëm ndaj konvojit të delegacionit serb në Prishtinë. Akte të tilla nuk janë në pajtueshmëri me frymën e dialogut. Delegacioni ka qenë pjesë e grupit punues për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE.

BE do të vazhdojë të lehtësojë dialogun Prishtinë –Beograd, derisa dy palët po takohen sot (e enjte) për zbatim të mëtejmë. Duhet të jetë e qartë se ky dialog nuk është vetëm për të arritur marrëveshje, por që është me rëndësi për zbatim dhe përfitim të njerëzve nga të dyja palët. Zbatimi është një kërkesë kyçe për progresin e secilës palë drejt rrugës së integrimeve europiane.

Sulmi është dënuar edhe nga zyrtarë të Beogradit, të cilët për këtë menjëherë iu janë drejtuar institucioneve europiane.

Qeveria e Serbisë i ka dërguar një notë proteste bashkësisë ndërkombëtare lidhur me incidentin e së mërkurës në Kosovë, kur dy vetura me zyrtarët e Serbisë janë sulmuar me gurë.

Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, ka theksuar se këto janë provokime dhe u ka dërguar një letër edhe institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë.

Përveç UNMIK-ut dhe EULEX-it, Cvetkovic letrën ia ka dërguar edhe shefes për Politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, baroneshës Catherine Ashton. Ai ka kërkuar që të zhvillohen hetime urgjente dhe që sulmuesit të sillen para drejtësisë.

“Bëhet fjalë edhe për një tentim tjetër të ekstremistëve për të frikësuar serbët në krahinën tonë jugore, që të ndalojnë dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjes së problemit në mënyrë paqësore”, ka thënë Cvetkovic.Qeveria ka bërë të ditur se makinat e delegacionit të saj janë dëmtuar dhe një nga anëtarët e delegacionit është lënduar lehtë.

“Delegacioni ynë ka qenë në detyrë për të zbatuar marrëveshjet në dialogun teknik me pushtetin në Prishtinë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

Për këtë sulm gjatë ditës ka reaguar edhe Kryenegociatorja e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri e cila e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj konvojit të delegacionit serb. Ajo ka sqaruar se delegacioni serb ka qenë pjesë e grupit punues për kthimin e dokumenteve kadastrale.

Tahiri ka thënë se ka mënyra tjera për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë.“Ka mënyra shumë më demokratike për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë”, ka thënë kryenegociatorja Tahiri.

Ndryshe, të mërkurën rreth orës 16:10, në Prishtinë, nga persona të dyshuar është sulmuar me gurë konvoji i një delegacioni të Republikës së Serbisë, i cili ishte nën përcjelljen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Si pasojë e kësaj, dy veturat e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa lëndime të personave nuk ka pasur.

Zyrtarët policorë kanë intervenuar menjëherë për ta parandaluar incidentin dhe kanë arritur të arrestojnë dy person si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast, por njëri nga ta, pas intervistimit, me autorizim të prokurorit është liruar.

Zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por ata kanë refuzuar ndihmën mjekësore me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe nuk kanë nevojë për ndihmë. Pas përfundimit të procedurave policore, delegacioni nën përcjelljen e Policisë së Kosovës ka vazhduar rrugën për në destinacionin e tij, thuhej në kumtesën e Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›