Deputetët na kushtojnë
Partia Demokratike pritet që shumë shpejt të propozojë në parlament që të ndryshohet ligji për “Statusin e deputetit”, kjo edhe në sajë të deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili ka ngritur shqetësimin se deputetët e kanë rrogën më të lartë se ai. Ndërkohë, aktualisht një deputet u kushton xhepave të shqiptarëve rreth 33 mijë euro në vit, kuotë në të cilën parashikohet rroga, automjeti me pagesën e shoferit dhe shërbimin teknik, telefoni celular, pagesa për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, si dhe dieta të ndryshme. Ndërkohë, kryetari i PD-së dhe i mazhorancës, Sali Berisha, ka deklaruar se do t’u heqë deputetëve makinat dhe shoferët, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë një monitorim më të rreptë për dietat që përfitojnë, për bisedat telefonike dhe për karburantin që harxhojnë, kjo edhe në kuadër të shtrirjes sa më të madhe të luftës antikorrupsion. Ndërkohë, në rast se deputetëve u hiqet e drejta që të kenë një makinë shtetërore dhe shofer, xhepat e shqiptarëve do të paguajnë 12 mijë euro më pak për një deputet.
Shpenzimet për parlamentinAktualisht, nga taksat e shqiptarëve paguhen rreth 5 milionë euro në vit vetëm për të mbajtur 140 deputetët e Kuvendit. Në rast se të gjithë deputetëve do t’u hiqet e drejta për të pasur një makinë dhe shofer të paguar nga buxheti i shtetit, atëherë nga këto 5 milionë euro shpenzime në vit do të kursehen rreth 1.7 milionë euro. Po ashtu, shifra e shpenzimeve të deputetëve mund të ulej edhe më tepër, në rast se do të kishte një kufizim të dietave dhe të bisedave telefonike, prandaj ndryshimet në ligj pritet që të bëhen pikërisht në këto dy pika të ligjit.
Shpenzimet e deputetitNjë deputet përfiton rreth 1.400 euro rrogë mujore. Kësaj i shtohet edhe pagesa ekstra prej 15 eurosh për çdo pjesëmarrje në komisione. Po ashtu, deputeti përfiton nga statusi i tij edhe rreth 1000 euro në muaj për të paguar shoferin dhe shërbimin teknik të mjetit. Gjithashtu, deputetët përfitojnë edhe dieta të ndryshme për vizitat dhe udhëtimet e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat arrijnë deri në 500 euro. Një “privilegj” tjetër që përfiton aktualisht deputeti shqiptar është edhe kuota prej 150 eurosh në muaj për telefonin celular. Kështu, ndryshimi i ligjit për “Statusin e deputetit” do të vinte në “dietë” deputetët shqiptarë, duke u kufizuar atyre shpenzimet e tepërta nga buxheti i shtetit.