E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD besnike

Engjëll Bejtaj garanton mosndryshim të marrëdhënieve me PS-në dhe garanton se PSD nuk do të shkojë ndonjëherë te Poli i Tretë me LSI, PDS, PS91 e PAD

Socialdemokratët hedhin poshtë në mënyrë kategorike mundësinë e bashkëpunimit të kësaj force politike me të ashtuquajturin poli i tretë. Nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, i pyetur nga “Korrieri” lidhur me deklaratën e homologut të tij tek PAD-ja, se edhe socialdemokratët mund t’i bashkoheshin polit të tretë, iu përgjigj me një mohim absolut. “Krijimi i një poli të tretë nuk do të ishte një gjë e jashtëzakonshme. Jo të gjithë mund të jenë të pozicionuar në dy krahë. Një eksperiencë të tillë ne e provuam në vitin 1996. Atëherë quhej “poli i qendrës”. 1996-ta na bërë që të ndiheshim pjesë e këtij poli. Sot nuk është më e njëjta situatë. Sot ne ndihemi pjesë organike e së majtës. Nëse PAD-ja e shikon veten pjesë të këtij poli të tretë, s’ka ndonjë gjë të keqe. Ne nuk mund të jemi natyrshëm aty”, - deklaroi kreu i grupit parlamentar të PSD-së. Engjëll Bejtaj,sqaroi se socialdemokratët ndryshe nga parti të tjera edhe të së majtës, që mund të jenë pjesë e polit të tretë, do të vazhdojnë bashkëpunimin me PS-në. “E majta për integrim” synon të afrojë rreth saj disa parti së bashku. Në një prononcim për “Korrierin”, nënkryetari i PAD-së, Arben Demeti, tha se edhe socialdemokratët mund të linin PS-në për t’iu bashkuar këtij “blloku” të ri politik. “Do të jetë e natyrshme nesër që të bashkëpunojmë me një koalicion të polit të tretë, ku nuk ka më dy partitë e vjetra. Janë partitë që dihen tashmë, si LSI-ja, PDS-ja, PS91-shi, por mund të jetë edhe PSD-ja, mund të jetë “që ç’ke me të”. Edhe ne e quajmë veten pjesë të saj. Kemi disa aksione të përbashkëta të marra në vitin 2008 dhe besojmë që kjo do të jetë një forcë fituese. Nuk diskutohet brenda së majtës! Por mendojmë që mund të jetë edhe një koalicion fitues edhe në rang kombëtar”, - thoshte numri dy i Aleancës Demokratike. Por sipas nënkryetarit të PSD-së, Engjëll Bejtaj, kjo nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse një dëshirë e aleancistëve. Socialdemokratët, sipas tij, do të vijojnë të rreshtohen krah partisë më të madhe opozitare, asaj Socialiste. “Ne nuk do të bëjmë eksperimente pavend. Ne jemi pjesë e Internacionales Socialiste, ashtu si edhe PS-ja. Kemi bashkëpunuar e do të bashkëpunojmë me këtë parti. Ne nuk do të jemi pjesë e polit të tretë. Arben Demeti që e ka deklaruar këtë, ndoshta do t’i pëlqente që ne të ishim atje. Por ne nuk do të jemi pjesë e atij poli”, - sqaroi Bejtaj. Socialdemokratët kanë treguar prej vitesh besnikëri ndaj PS-së. Nëse LSI-ja apo parti të tjera të koalicionit të majtë kanë ashpërsuar shpesh tonet dhe akuzat ndaj socialistëve, socialdemokratët edhe nëse nuk kanë qenë dakord me ndonjë qëndrim, asnjëherë nuk kanë përmendur mundësinë e ndarjes me PS-në. Madje të dyja partitë kishin hedhur idenë e shkrirjes mes tyre, çka nuk u realizua, por vijojnë të shprehen për një bashkëpunim mes tyre në zgjedhjet e vitit 2009-të. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›