E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët, një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kuvendi mbajti sot një minutë heshtje solemne në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, që u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 89-vjeçare.

Në nisje të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi vlerësoi figurën njerëzore dhe politike të Pëllumbit, të cilin në PS e thërrisnin “Profesori”.

“Servet Pëllumbi ka qenë zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për disa legjislatura, duke filluar nga viti 1991 deri sa u tërhoq nga jeta aktive politike e parlamentare”, u shpreh Peleshi.

Ai shtoi se “Profesor Servet Pëllumbi i shërbeu Shqipërisë në vite të vështira. Kur koha kërkoi zëvendësimin e sistemit politik, Servet Pëllumbi ishte midis atyre intelektualëve që u përfshinë si protagonistë aktivë të ndryshimeve demokratike”.

“Kur demokracia e re shqiptare kërkoi themelimin e një të majte moderne, si kusht thelbësor për jetërsimin e pluralizmit politik, Profesor Servet Pëllumbi u bë ndër themeluesit, mendimtarët dhe drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, vuri në dukje ai.

Përveç pesë mandateve si deputet, gjatë viteve 2002-2005 Servet Pëllumbi shërbeu si kryetar i Kuvendit.

“Në këtë detyrë të lartë shtetërore, Servet Pëllumbi drejtoi me vizion, urtësi e mençuri, tolerancë e përkushtim shembullor, si një politikan largpamës e patriot”, vlerësoi Peleshi.

“Gjatë gjithë jetës së tij si dijetar dhe intelektual erudit, Profesor Pëllumbi formoi breza të tërë studentësh dhe la një trashëgimi të pasur në shkencat politike dhe sociologjike shqiptare”, theksoi Kreu i Kuvendit.

Peleshi ftoi deputetët që në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, të mbajnë një minutë heshtje.

Minutë heshtje në Kuvend për Servet Pëllumbin, foto: Andrin Hoxha 1 nga 5

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›