E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismaili interpelancë për JetBank: Retorikat politike ndaj BSH-së dëmtojnë ekonominë dhe besimin publik

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, në fjalën e mbajtur sot gjatë interpelancës së kërkuar me Kryeministrin lidhur me licensimin e JetBank, bankës së parë digjitale në Shqipëri, deklaroi se opozita po dezinformon, po bën propagandë dhe përpjekje për të krijuar pasiguri te qytetarët, duke theksuar se licensimi i bankave nuk është kompetencë e qeverisë apo e kryeministrit, por ekskluzivisht e Bankës së Shqipërisë.

Ajo theksoi se Kushtetuta dhe ligji për Bankën e Shqipërisë garantojnë pavarësinë e institucionit, duke shtuar se çdo përpjekje për të delegjitimuar bankën qendrore cenon stabilitetin financiar dhe besimin publik.

Ismaili ironizoi opozitën duke deklaruar se kërkesa për interpelancë synon ta kthejë kryeministrin “edhe në guvernator, edhe në prokuror, edhe në gjykatës”.

Sipas saj, opozita sulmon çdo investim apo nismë të re në vend, nga teknologjia te sipërmarrjet private, vetëm për interesa politike.

“Besueshmëria e bankës sonë qendrore është jetike, dhe çdo veprim ose retorikë që minon reputacionin e saj mund të ketë pasoja të thella për sistemin bankar dhe për rrjedhojë të gjithë ekonomisë së vendit. Nga njëra anë thoni dhe kërkoni të garantojmë respektimin e kompetencave pavarësisë së pushteteve dhe institucioneve; nga ana tjetër, kërkoni ndërhyrje të politikës dhe ekzekutivit në çështjet e kompetencës së bankës. Ne kemi bërë pikërisht këtë: kemi garantuar pavarësinë e bankës. Ne kemi bërë atë që ju nuk mundët e nuk ditët dot ta bëni për më shumë se 25 vite: të garantojmë pavarësinë, lirinë dhe paprekshmërinë e pushteteve dhe kompetencave; të garantojmë integritetin e vendimmarrjes.

“Funksionimi i bankës si institucion i pavarur kushtetues forcohet më tej nga struktura e brendshme e qeverisjes, ku vendimmarrja realizohet nga organe kolegjiale me shumë anëtarë të emëruar për mandate të përcaktuara dhe të mbrojtura ligjërisht. Në këtë kuadër, qeveria nuk ka kompetencë të japë udhëzime, të ndërhyjë apo të ndryshojë vendimmarrjen e bankës qendrore”, vuri në dukje Ismailaj.

Për rrjedhojë, sipas saj, ajo nuk është palë përgjegjëse për shpjegimin apo justifikimin e vendimeve konkrete të bankës qendrore, pasi këto janë ekskluzivisht në juridiksionin e saj.

“Nga ana tjetër, sistemi garanton llogaridhënie institucionale si ndaj publikut ashtu edhe ndaj parlamentit. Thënë sa më sipër, duke iu kthyer çështjes konkrete, dëshiroj të theksoj se pushteti ekzekutiv në asnjë rast nuk mund dhe as është përfshirë ndonjëherë në procesin e licensimit të bankave të nivelit të dytë apo të bankave digjitale. Banka qendrore disponon bazën ligjore dhe kapacitetin profesional për të vlerësuar modelet e biznesit, përshtatshmërinë e aksionerëve dhe efektivitetin e strukturave të qeverisjes së institucioneve që aplikojnë për licensë”, shtoi ministrja Ismailaj.

“Megjithatë, shqetësimi im sot nuk është licensimi, pasi besoj tek institucionet e pavarura dhe Banka e Shqipërisë përbën një institucion model në këtë drejtim. Shqetësimi im është nevoja për vetëpërmbajtje dhe tregimin e kujdesit të duhur, me qëllim shmangien e ndikimit dhe pasojave që mund të kenë retorikat e diskutimet në këtë parlament dhe jashtë tij në stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar, si dhe në vetë ekonominë e vendit”, tha ajo.

Ministrja mbrojti modelin e bankës digjitale, duke e cilësuar atë si pjesë të modernizimit të ekonomisë shqiptare, luftës kundër informalitetit dhe tranzicionit drejt pagesave elektronike.

Ajo deklaroi se sistemi i bankave digjitale ndihmon në gjurmimin e çdo transaksioni dhe ul përdorimin e parasë fizike, duke e afruar Shqipërinë me standardet europiane.

“Keni ngritur pikëpyetje për kapitalin. Kapitali minimal për licensë bankare kërkohet nga ligji. Atë që ligji e kërkon, ju e paraqisni si skandal. Keni ngritur pikëpyetje për strukturën e pronësisë. Për këtë ka institucione, ka procedura, verifikime dhe rregullator. Nuk vendos foltorja e Kuvendit se kush është i ligjshëm dhe kush jo. Keni folur për reputacionin e Shqipërisë në Evropë. Po ju them qartë se ajo që dëmton reputacionin e Shqipërisë nuk janë investimet e licensuara sipas ligjit. Ajo që dëmton është kur politika i paraqet partnerëve tanë një vend ku çdo institucion delegjitimohet dhe çdo investim goditet pa prova.

“Opozita është pala që monitoron pushtetin, mazhorancën, por ju s’jeni as opozitë tashmë. Jeni një pjesë amorfe që s’keni as formë dhe as përmbajtje. Një bankë digjitale është një forcë modernizuese dhe përbën materializim të asaj që synojnë vetë kapitujt e integrimit. Prek ekonominë digjitale, ku kërkohet inovacion, identifikim elektronik dhe shërbime online. Prek edhe luftën kundër informalitetit, sepse sa më shumë transaksione bankare dhe digjitale, aq më pak hapësirë ka ekonomia gri. Banka digjitale funksionon si pjesë edhe në koherencë me sistemin bankar, si një instrument për cashless, duke luftuar transaksionet me para në dorë. Transaksionet në bankën digjitale bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe paratë transferohen përmes bankave ekzistuese, duke gjurmuar çdo transaksion. Askush nuk ka mundësi të depozitojë para në cash. Por jo, ju e keni ndarë mendjen. Ju sulmoni çdo investim të ri. Kur vjen një kompani e re, ju hapni sulm. Kur hapet një sipërmarrje e re, sulm. Kur futet teknologji e re, sulm. Pra, ju jeni gati të sakrifikoni të ardhmen e vendit dhe të Shqipërisë, vetëm e vetëm që suksesi të mos i njihet Partisë Socialiste”, tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, Ismaili akuzoi opozitën se po sakrifikon të ardhmen e vendit për interesa politike, ndërsa shtoi se “ajo që na ndan me ju është gjithçka”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›