E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët pengohen të hyjnë në tunel. Menaxheri: Ka rrezik, kontrata mbaron verën që vjenNga “Faktori Plus”13 deputetë të Partisë Socialiste nuk u lejuan dje të shihnin vetë atë që po ndodh me tunelin e Thirrës, pjesë e segmentit Rrëshen-Kalimash, të

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Deputetët pengohen të hyjnë në tunel. Menaxheri: Ka rrezik, kontrata mbaron verën që vjenNga “Faktori Plus”

13 deputetë të Partisë Socialiste nuk u lejuan dje të shihnin vetë atë që po ndodh me tunelin e Thirrës, pjesë e segmentit Rrëshen-Kalimash, të shembur pak ditë më parë, me pretendimin se kushtet e sigurisë nuk e lejonin hyrjen në objekt.

Të zgjedhurit opozitarë janë përballur me zemërimin e disa banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar këtë vizitë, duke përsëritur vetëm tekstin e zyrtarëve të mazhorancës se deputetët duhet të shkojnë në parlament…

Menaxheri i kompanisë “Bechtel-Enka” i ka ndalur deputetët në hyrje të tunelit, ku dhe ka dhënë shpjegime për pyetjet e tyre mbi qëndrueshmërinë e objektit. Deputetët Dokle e Braçe kanë ngritur shqetësimin e mungesës së një studimi të plotë që do të shmangte atë që ndodhi pak ditë më parë, kur një pjesë e madhe e galerisë u shemb duke rrezikuar edhe jetën e punëtorëve.

Pas shpjegimeve që kanë marrë nga menaxheri i huaj, deputetët socialistë edhe njëherë kërkuan transparencë për sigurinë dhe fondet e rrugës dhe tunelit problematik, disa herë të hapur e të mbyllur.

Menaxheri i punimeve, ndërsa shpjegonte situatën e tunelit, pohoi se ai, sipas kontratës, do të jetë gati vetëm në verën e vitit të ardhshëm, duke e nxjerrë edhe njëherë bllof përurimin e bujshëm të Rrugës së Kombit pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Nga Tirana ministri Olldashi ka nxituar të dalë para kamerave për të përshëndetur vizitën e deputetëve socialistë në tunel duke u përpjekur të bëjë ironi me këtë vizitë, por, nga ana tjetër, siç e ka bërë traditë, duke lexuar një refren të parapërgatitur dhe pa qëndruar as edhe një minutë për t’iu përgjigjur interesit të gazetarëve…

Rruga e bujshme, që simbolikisht, por edhe fizikisht, do të bashkonte kombin shqiptar, po ndesh kështu edhe me problemet e sigurisë, si të mos mjaftonte debati mbi shumën marramendëse që ajo ka gllabëruar që nga nisja pa projekt. Edhe vetë zoti Olldashi ka pasur disa versione kundërshtuese lidhur me koston, duke na futur në dilemën se cilin ministër duhet të besojmë.

Zyrtarët lokalë të PD në Fan: Socialistët të hyjnë në Kuvend

Ndërsa deputetët socialistë po bisedonin me përfaqësuesit e firmës “Bechtel”, nënkryetari i komunës së Fanit dhe disa persona të tjerë përfaqësues po ashtu të administratës së komunës kanë ndërhyrë duke krijuar një situatë jonormale, dhe duke iu kërkuar deputetëve socialistë të hyjnë në Kuvend. Personat, të cilët tentuan të ndërhyjnë në bashkëbisedimin që deputetët socialistë po zhvillonin me përfaqësues të kompanisë ndërtuese, janë:

Gegë Ceraj - nënkryetar i komunës Fan

Ndue Frrokgjeta - babai i kryetarit të komunës Fan

Ndue Toma - kryetar i PD, Fan

Ndue Marku - veteriner i komunës Fan

Nikolin Gjaci - polic në komunën Fan

“Nuk e dimë pse ndodhi shembja, studimin po e bëjmë hap pas hapi”

Daren Mort, menaxher i projektit për tunelin, u përgjigjet deputetëve të PS.

“Ne kemi klientin tonë, që është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe që tuneli të operojë, pra kur u hap pjesërisht, u morën të gjitha masat. Me këtë çështje ishin të angazhuar gjithë ekspertët tanë, që tuneli të operonte pa probleme dhe pa pasur asnjë incident teknik. Në fakt, janë marrë masa shtesë për çdo problem”.

A ndikoi te shembja hapja para kohe e tunelit?

Ajo pjesë ku ne kemi shembje është pjesa jugore e tunelit. Nuk ka lidhje me pjesën tjetër, që është hapur dhe përdorur në verën e kaluar.

E keni hapur para kohe tunelin?

Kontrata jonë mes kompanisë “Bechtel-Enka” dhe qeverisë shqiptare është që ta mbarojmë tunelin verën e ardhshme.

Çfarë po ndodh aktualisht në tunel? Pra, si paraqitet situata?

Aktualisht po sigurohemi që personeli dhe të gjitha mjetet të jenë të sigurt dhe puna të vazhdojë në siguri. Pas asaj që ka ndodhur, më e rëndësishmja është që askush nga personeli nuk është lënduar dhe asnjë nga mjetet nuk është dëmtuar. Aktualisht jemi duke u konsultuar edhe me ekspertët, të cilët janë gjeologë të kualifikuar, sepse, siç mund ta dini, kjo është një zonë me përbërës të ndryshëm gjeologjikë. Gjithashtu, ne po mundohemi te konstatojmë se si do të vazhdohet më tej. Më e rëndësishmja është që të marrim vesh se çfarë ka ndodhur në të vërtetë këtu.

Kemi dy tunele paralelë me një gjatësi prej 5.5 km secili. Siç e dini, rrëshqitja ka ndodhur ne tunelin jugor, që është ai i krahut të djathtë. Rreth 40 deri në 50 metra në mes të këtij tuneli ka ndodhur rrëshqitja.

Pra, kjo është situata. Ne po përpiqemi të gjejmë shkaqet, që më pas t’i japim një zgjidhje.

A ka pasur një studim të plotë të trasesë së tunelit?

Kemi pasur një studim, por duhet thënë që gjërat bëhen hap pas hapi.

Ka pasur studim të pjesshëm apo të plotë?

Këtu ka diçka që duhet ta keni të qartë. Ndërtimi i tunelit nuk i ngjason ndërtimit të një ure, që ta kesh projektin e detajuar që më parë. Ne e nisëm punën me një bazë informacioni, pas studimeve gjeologjike. Principi që u përdor për ta projektuar është metoda austriake, pra ecja hap pas hapi me projektin, pasi në këto lloj malesh ka struktura gjeologjike që ndryshojnë nga njëra-tjetra. Në përgjithësi nuk ka pasur probleme serioze. Pjesa ku ndodhi problemi i tanishëm, është mesi i tunelit, ku mendojmë se bashkohen 2 shtresa gjeologjike të ndryshme.

Keni sjellë specialistë të tjerë apo janë të njëjtët?

Gjeologët tanë janë të njëjtët, por Drejtoria e Rrugëve ka dërguar disa nga ekspertët më të mirë.

Kur rinis puna?

Ne nuk e kemi ndërprerë punën. Kemi larguar mjetet dhe njerëzit nga zona e shembjes që është me rrezik, por po punojmë për të siguruar zonat e tjera përreth, që të mos kemi probleme edhe aty. Njëkohësisht po mendojmë edhe zgjidhjen e problemit te shkarja.

Olldashi: Ekspeditën duhej ta udhëhiqte vetë Rama

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, shmangu dhe dje pyetjet e gazetarëve në lidhje me shembjen e tunelit dhe kostot shtesë që do të kërkojë ai. Olldashi tha se ishte i gëzuar që socialistët po vizitonin këtë rrugë.

“Partia Socialiste organizoi një vizitë në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe në mënyrë më të vëmendshme në hyrjen e tunelit Thirrë-Kalimash. Unë doja që në emër të qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ta përshëndesja këtë vizitë. Është shumë pozitiv fakti që, më në fund, edhe pse me dy vjet e gjysmë vonesë, Partia Socialiste vendosi të prezantohet me projektin më të madh infrastrukturor të vendit.

Do të kishte qenë më mirë akoma sikur ekspeditën socialiste ta kishte udhëhequr vetë zoti Rama, por nga ana tjetër jam i bindur që numri i madh i deputetëve që morën pjesë në këtë rrugëtim është i mjaftueshëm për t’i përcjellë zotit Rama ndjesi veçanërisht pozitive, të cilat mund t’i shërbejnë për t’i larguar frikën nga tuneli.

Falënderoj kompaninë ndërtuese që tregoi gatishmëri të plotë për ta informuar dërgatën socialiste mbi ecurinë dhe problematikat e tunelit, duke u shpjeguar në mënyrë të hollësishme detaje mbi gjeomorfologjinë e terrenit, strukturën shkëmbore të frakturuar, aktivitetin tektonik milionavjeçar, konvergjencën radiale dhe lubrifikimin e shtresave shkëmbore me përbërje ultrabazike, fenomene këto për të cilat Partia Socialiste tregon vëmendje të veçantë”, - tha Olldashi.

Ministri i Transporteve nuk ka dhënë ende asnjë sqarim për deklaratën e tij se kostoja e rrugës do jetë 520 milionë euro, kur ajo është dyfishuar dhe punimet ende nuk kanë mbaruar në një pjesë të mirë të rrugës.

Editorial

Mungesa e transparencës dhe keqpërdorimi i tunelit

Qeveria shqiptare ka fshehur të vërtetën mbi afatet e ndërtimit të tunelit të Kalimashit dhe ka prodhuar kosto shtesë për shkak të përdorimit të tij për fushatë elektorale. Grupi i deputetëve të opozitës, që ishin në Kalimash, mësoi prej përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese se tuneli do të përfundojë verën që vjen, dhe se kompania nuk ka autorizuar hapjen e tij për fushatë elektorale dhe gjatë muajve të verës. Tani pikëpyetjet që ngrihen mbi rritjen e shpenzimeve për arsye politike, në këtë vepër të madhe inxhinierike, shtohen dhe më shumë. Së pari duhet të sqarojmë në bazë të kontratës, nëse në periudhën dymujore që qeveria ka hapur tunelin për arsye politike dhe propagandistike, a kemi paguar kompaninë për pengim të punës së saj në këtë vepër apo jo. Nëse kompania nuk ka qenë dakord që të hapet, siç e pohojnë drejtues të saj dhe Drejtoria e Rrugëve ka hapur tunelin me vullnet politik, atëherë duhet të shikohen çfarë parashikojnë termat e kontratës për këtë çështje. Së dyti duhet kërkuar me forcë një ekspertizë financiare dhe juridike për të provuar problemet teknike që i janë shtuar procesit inxhinierik nga pauza dymujore e funksionimit të tunelit në kushte emergjence. Dhe së fundmi duhet të verifikohet ligjërisht, nëse fondet e harxhuara deri më 28 qershor, kanë qenë të planifikuara apo janë tejkaluar duke rrezikuar buxhetin e Ministrisë së Transporteve dhe duke lënë pa paguar kompanitë shqiptare. Këto tri çështje janë politike dhe duhet të bëhen transparente përmes hetimeve të reja që duhet të rihapen, pasi qeveria ka vendosur publikisht afat ligjor që tuneli dhe autostrada përfundojnë brenda vitit 2009. Nga ana tjetër, shihet qartë që qeveria po përpiqet më shumë se kurrë të mos përgjigjet për shpërdorimet e shkaktuara në buxhet për arsye politike, dhe po mbrohet me ombrellën e patriotizmit. Edhe gjatë vizitës së sotme në Kalimash, deputetët e opozitës u ndeshën me një grup banorësh të zonës, të instruktuar të këshillonin opozitën të kthehej në parlament dhe të akuzonin deputetët e opozitës si antikombëtarë. Edhe pse skena është qesharake dhe të kujton antimitingjet e Ramiz Alisë në fillim të viteve ‘90, ajo tregon predispozimin politik të qeverisë për të justifikuar te qytetarët një krim ekonomik që ka bërë për arsye tërësisht politike dhe mashtrim elektoral, të cilin kërkon ta paraqesë si akt patriotik. Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash është një vepër inxhinierike, e ndërtuar me paratë e qytetarëve shqiptarë dhe çdo qeveritar mund të konsiderohet patriot, kur u shpjegon qytetarëve të tij si ia ka harxhuar paratë, përse i ka harxhuar dhe si është kujdesur për to. Në të vërtetë ne jemi përballë një qeverie, e cila nuk na tregon si i ka harxhuar këto pará, nuk na tregon, nëse i ka harxhuar për tunelin apo për xhepat e vet dhe mbi të gjitha po kthehet në një “armike të rrugës”, nëse përdorim gjuhën e Berishës, duke mos e përfunduar atë, edhe pse ka harxhuar dyfishin e parave që llogariti për të ndërtuar rrugën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›