E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeteve nuk u mbyllet goja

Për Jozefina Topallin, në mënyrë paradoksale, neni 65 i rregullores së Kuvendit të Shqipërisë është njësoj si neni famëkeq 55 i agjitacion propagandës së kohës së Eneverit. Në mënyrë të trishtë historia përsëritet duke treguar që ka mbetur si mbeturinë e mbartur te njerëzit që jetuan atë kohë dhe e përcjellin në ditët e demokracisë shqiptare. Mbyllja e gojës. Kryetarja e Kuvendit i mbylli gojën, por edhe më keq, përjashtoi një deputet të opozitës, duke pretenduar se po shpifte e duke “u shqetësuar” se do të përballej në gjykatë për shpifjet. Le të merret Gjykata me Taulant Ballën dhe jo Jozofina Topalli, aq më tepër, t’i mbyllë gojën kur deputeti socialist e akuzon atë personalisht se “ka vjedhur duke fshehur deklarimin e pasurisë”. Kryetarja e Kuvendit i mbylli gojën në mes të ditës dhe përdori nenin 65 të rregullores, njësoj si 55-n e agjitacion propagandës. Po çfarë duhet të presë Shqipëria që të civilizohet e të fitojë lirinë e fjalës dhe përgjegjësinë personale të përgjigjes para ligjit? Duhet të presim që të vdesin këto mbeturina të së kaluarës? Urojmë që të gjithë të jetojnë sa malet e të kalojnë 100 vitet, por të kuptojnë se fjala nuk ndëshkohet në Kuvendin e Shqipërisë Demokratike. Në këtë botë ka vend për mendimet e mazhorancës dhe opozitës dhe të shumë shumë të tjerëve që ua kanë shpifur këta bosë të gicmicave e frikacakë të humbjes së privilegjeve dhe pasurive.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›