Universitet jashtë skemës së financimit nëse nuk akreditohen
03/03/2011 Një pjesë e konsiderueshme e institucioneve të arsimit të lartë publik e privat ende nuk kanë aplikuar
Universitet që nuk do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit nga një agjenci e caktuar nuk do të përfshihen në skemën e re që është propozuar për financimin e arsimit të lartë në vend. Për të qenë pjesë e këtij modeli financimi, të gjitha universitet, qofshin këto publike apo private, duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit, i cili vlerëson standardet dhe cilësinë që ofrohet në të gjitha programet e studimeve universitare. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, këto institucione nuk do të përfitojnë fonde për studentët apo për investime të ndryshme. Aktualisht ka nisur puna në terren për matjen e cilësisë jo vetëm në strukturat publike, por dhe në ato private. “Në qoftë se këto universitete private apo publike duan të përfshihen në procesin e financimit në skemën që propozon qeveria shqiptare, ato patjetër duhet të ballafaqohen me cilësinë në universitetet e tyre", - deklarohet nga ekspertët e Agjencisë Publike të Akreditimit në Ministrinë e Arsimit. Gjithashtu nga strukturat e arsimit bëhet me dije se janë ende shumë institucione të arsimit të lartë publik e privat që nuk kanë aplikuar për procesin e akreditimit, ndërkohë që reforma e re financiare është ende në procesin e diskutimit ndërmjet grupeve të interesit. Kjo reformë është parashikuar që të nisë të zbatohet gjatë vitit të ardhshëm. Për sa i përket procesit tjetër që ka shpallur Ministria e Arsimit: renditja e universiteteve, ajo pritet të fillojë gjatë muajit prill. Ky proces do të bëjë rankimin e universiteteve duke klasifikuar institucionet që përmbushin kriteret për të qenë në tregun e arsimit të lartë, si dhe marrjen e masave ndëshkuese ndaj atyre që nuk përmbushin kriteret e duhura. Megjithatë, Universiteti i Tiranës është shfaqur kundër renditjes (rankimit), duke përjashtuar pjesëmarrjen në rast se më parë nuk përfundohet në të gjitha institucionet akreditimi. Për këtë ka një vendim të senatit të UT-së, ku është vendosur që të mos merret pjesë në procesin e renditjes, pasi informacioni që kërkohet për të rankuar universitetet është tmerrësisht shumë sipërfaqësor dhe lë vend për abuzime. Megjithatë, për të vlerësuar cilësinë në universitete tashmë specialistët gjermanë dhe ata të Agjencisë së Akreditimit do të vijojnë punën në terren, duke shkuar në universitete dhe fakultete për të verifikuar situatën. Tashmë ka mbaruar faza e parë, ajo e hartimit të kritereve dhe standardeve në bazë të cilave do të bëhet matja e cilësisë. Sipas specialistëve, matja e cilësisë do të thotë certifikim i universiteteve, çka do të bëjë që rregullat në tregun e arsimit të lartë të jenë më korrekte dhe studentët të dinë vlerën e diplomës që do të marrin. Kështu, ligji i arsimit të lartë parashikon fillimisht matjen e cilësisë së universiteteve dhe renditja e tyre po sipas këtij kriteri. Vendi që do të zënë këto universitete në rankim do të ndikojë dhe në marrjen pjesë në tenderat dhe përfitimet nga fondet publike parashikuar në ligjin e arsimit të lartë.