E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundshmëria kronike, për një vit 50 mijë raste të reja

03/03/2011  Ndër më shqetësueset renditen hipertensioni, diabeti, astma bronikale dhe insuficiencë kardiake

Frekuentimi i Mjeku i Familjes, realizohen 500 mijë vizita më shumë

Evidentimi i sëmundjeve kronike po bëhet gjithnjë e më shumë një problem shqetësues për pacientët, pasi trajtimi i tyre paraqet kosto të lartë. Sipas të dhënave të deklaruara nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, vetëm gjatë vitit të shkuar numri i rasteve të reja të sëmundshmërisë kronike ka qenë rreth 50 000 raste. Në këto kushte, çdo muaj të vitit janë identifikuar 4200 raste të reja të prekura nga sëmundje të ndryshme kronike, ku klasifikohen si më të shpeshtat sëmundjet e hipertensionit, diabeti, astma bronikale dhe insuficiencë kardiake, apo dhe sëmundje të tjera më të rënda. Të rriskuar nga këto sëmundje në masë janë moshat e rritura dhe ato të treta, të cilat janë gjithashtu pjesë e skemës së rimbursimit. Sipas të dhënave të ISKSH-së, duke krahasuar të njëjtën periudhë të vitit 2009 dhe 201, për këtë grup sëmundjesh janë shtuar 37 mijë raste më shumë. Shtimi i personave që vuajnë nga sëmundjet kronike është shoqëruar edhe me rritjen e shpenzimeve për barnat e rimbursueshme, duke regjistruar mbi 1.1 miliard lekë të reja më shumë, ku vetëm për pensionistët janë shtuar 400 milionë lekë, ndërkohë që vetëm katër diagnozat e mësipërme kanë zënë 60 për qind të numrit të recetave dhe 42% të rimbursimit. Gjatë prezantimit të punës së bërë gjatë vitit të shkuar drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka pohuar se karakteristikë ishte shtimi i vizitave të kryera te mjeku i familjes, përkatësisht me 500 mijë vizita më shumë,si dhe shtimi i numrit të indikatorëve të cilësisë, i cili si qëllim kryesor ka përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë nëpërmjet monitorimit dhe vlerësimit të diagnozave më të shpeshta në këtë shërbim dhe që zënë një peshë të madhe në rimbursim. Po ashtu për të monitoruar dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur zhvillimit dhe mirërritjes së fëmijëve, u vendos edhe një indikator për ndjekjen dhe monitorimin e fëmijëve 0-1 vjeç. Hana ka shtuar më tej se, sipas masave të marra, është shtuar gama e pasqyrimit të të dhënave të aktiviteteve që kryejnë qendrat shëndetësore. “Konkretisht, ne sot jemi në gjendje të pasqyrojmë numrin e procedurave mjekësore të kryera nga infermieret. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për monitorimin dhe vlerësimin adekuat të aktiviteteve të ofruesve dhe në rastin konkret të infermiereve të shërbimit parësor. Në këtë drejtim gjatë vitit të shkuar nga infermierët që ofrojnë shërbim në kujdesin parësor janë kryer rreth 2 milionë procedura injeksione dhe 235 mijë mjekime. Gjithashtu nga infermierët e kujdesit parësor janë kryer afro 5,5 milionë vizita, nga të cilat rreth 1 milion vetëm nga infermieret, pa praninë e mjekut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›