Deputeti Sajmir Tahiri, dëshmitar i një skene ryshfeti. Denoncon doganierët
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, është bërë dëshmitar i një skene ryshfeti nga ana e doganierëve në pikën doganore të Qafë Botës në Sarandë. Për këtë arsye, ai ka vendosur që të padisë dy doganierë, të cilët janë evidentuar duke marrë ryshfet.
Po kthesha nga Greqia me familjen time. Gjatë pritjes në radhë të automjeteve dallova një doganier dhe një punonjës të policisë, të cilët i afroheshin çdo makine që priste në radhë duke biseduar me drejtuesit e automjeteve. Kur iu afruan automjetit që gjendej në krahun tim, i cili ishte me targë të huaj, italiane, i drejtuar nga një shtetas italian, i shoqëruar nga një shtetase shqiptare dhe që kishte disa kuti mbi tavanin e autoveturës, si dhe duke parë se sjellja ndërmjet punonjësit të doganës, drejtuesit të automjetit dhe gruas shqiptare nuk dukej aspak formale, aq sa gruaja po ndihej në siklet çpo i thoshin ata, u bëra kureshtar dhe hapa xhamin e makinës të dëgjoja se çfarë po diskutohej ndërmjet tyre. Në këtë moment dëgjoj bashkëbisedimin e tyre me shtetasen shqiptare që ndodhej në makinë me shtetasin italian. Ky zotëria iu drejtua shtetases shqiptare, duke i thënë: Me çfarë i ke këto kuti sipër makinës?. Gruaja i përgjigjet: Kam disa dhurata për familjarët e mi, pasi po shkoj në shtëpi në Vlorë. Ky zotëria i thotë: Vetëm për familjen tende paske dhurata, për ne nuk paske?. Gruaja i përgjigjet: Kam 23 vjet e larguar nga Shqipëria dhe i kisha harruar këto tradita, rrëfen deputeti Tahiri.
Pas kësaj skene, sipas rrëfimit të Tahirit, gruaja i ka dhënë një shishe shampanjë punonjësit të doganës, çka ka bërë që deputeti i PS-së të reagojë dhe tu kërkojë llogari punonjësve të doganës, të cilët më pas e kanë kthyer pas shishen e shampanjës. Njëkohësisht, ai i ka denoncuar ata në polici.