Deputeti gjerman kundër bllokadës së PS
Deputeti gjerman, Roderich Kieseëetter, përfaqësues i koalicionit CDU/SDU, deklaroi dje në Tiranë se dënon bllokadën që Partia Socialiste i ka bërë Parlamentit në dy vite, ndërsa ftoi të moderuarit e PS të punojnë me qeverinë për integrimin. “Ne shprehim mbështetjen tonë për Qeverinë në përpjekjet e veta, për të plotësuar në mënyrë të suksesshme kushtet e integrimit europian. Pra, edhe njëherë mbështesim shprehimisht përpjekjet për plotësimin e kushteve për integrim në Bashkimin Europian”, u shpreh ai. Ndaj, theksoi Kieseëetter, kërkesa jonë do të ishte drejtuar opozitës dhe qeverisë, për të kërkuar dialogun midis tyre. “Me lejoni që si parlamentar, si deputet i Gjermanisë, të shpreh gjykimin dhe mendimin tim në lidhje me bllokadën politike që i ndodh Parlamentit, vendit tuaj, prej pothuaj dy vitesh. Pikërisht në këtë mënyrë bllokohet miratimi i ligjeve të rëndësishme, bllokohet realizimi i kushteve të rëndësishme të cilat do të ishin të domosdoshme në përmbushjen e tyre për përafrimin dhe për rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, nënvizoi zyrtari gjerman. Ne e dimë tanimë që Qeveria, tha ai, shoqëria shqiptare duan në mënyrë të domosdoshme integrimin në BE, ndaj është mjaft e rëndësishme për ne, që edhe opozita të jepte shenjat e veta në këtë drejtim, pikërisht për të arritur këtë qëllim final, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. “Unë e them edhe njëherë mjaft qartë se konsensusi, përputhshmëria, gjetja e një gjuhe të përbashkët në këtë rrugë, nuk është shenjë dështimi apo mposhtjeje, por është një shenjë fitoreje. Në mbyllje, do të doja të thosha në mënyrë krejtësisht të qartë, që ngjarjet e 21 janarit duhet të sqarohen dhe mbi to duhet të hidhet dritë në mënyrë mjaft të kujdesshme dhe të qartë”, nënvizoi Kieseëetter.