Tre kushtet e PS-së për zgjedhjet, PD-ja nuk negocion për asnjërën
TIRANË- Beteja për zgjedhjet e afërme lokale pritet të jetë e ashpër, mes dy forcave kryesore politike në vend, PS e PD. Partia Socialiste e ka tashmë të qartë se pa realizimin e tre kushteve të saj, zgjedhjet lokale të 8 majit do të jenë për të sërish të kontestueshme. Në anën tjetër, PD-ja e cila ka qëndruar larg një përgjigje zyrtare për kushtet e PS-së, duket se nuk do të marrë asnjërën prej tyre në konsideratë. Deri më tani, deputetë të PD-së në prononcime publike, por edhe vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, janë shprehur kundër kërkesës së PS-së për rikompozimin e institucionit më të lartë zgjedhor. Ndërkohë, nga selia blu vijnë sinjale për të mos marrë në konsideratë as dy kërkesat e tjera të PS-së, listat e zgjedhësve dhe verifikimi i kartave të identitetit. Për zyrtarët e lartë të PD-së, kërkesat në fjalë, parimisht nuk qëndrojnë, edhe pse ata vijojnë të theksojnë se në tryezën e tyre të punës nuk kanë zyrtarisht asnjë kërkesë të PS-së. Pak ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përgjegjësi kryesor për shkeljen e Kodit dhe manipulimin e zgjedhjeve të kaluara. Sipas Ruçit, KQZ-ja ka humbur çdo lloj kredibiliteti dhe besimi publik, për të qenë në krye të zgjedhjeve të 2011, duke kërkuar për pasojë edhe shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. Ky i fundit u zgjodh në krye të KQZ-së dy vite më parë, me votat e dy partive të mëdha PD-PS. Por pretendimet e fundit të PS-së, për rolin që ai po luan në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, kanë vënë në pikëpyetje, qëndrimin e tij në krye të KQZ-së. Partia Socialiste kërkon gjithashtu akses në listat e përditësuara të zgjedhësve. Vetëm dy ditë më parë, anëtarja e kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, deklaroi se Ministria e Brendshme po lejon ndryshimet në listën e zgjedhjeve, duke shkelur nenin 52 të Kodit Zgjedhor. Sipas saj, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, që nuk po i mundëson PS-së kërkesën për të pasur listat e përditësuara të zgjedhësve deri më datën 8 mars. Por ky pretendim i PS-së, ashtu si edhe shumë të tjera, që nga selia rozë do të dalin lidhur me listën e zgjedhësve, duket se nuk do të gjejnë hapësirë nga demokratët, duke këmbëngulur se në zyrat e gjendjes civile po zbatohet vetëm ligji. Kushti i tretë, ai i pajisjes me një aparaturë për verifikimin e kartave të identitetit ditën e votimit, për zyrtarët e lartë të PD-së, shihet e pamundur, sa kohë që sipas tyre, deri më tani nuk është vënë asnjëherë në dyshim vërtetësia e kartave.