E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti i LDK, Armend Zemaj kërkesë Berishës: Dekoro 13 personalitete kosovare

TIRANE-Kryeministri Berisha priti deputetin e LDK të Kosovës, Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtues të forumit rinor të kësaj partie.

Duke falenderuar Kryeministrin Sali Berisha për mikpritjen, miqtë nga Kosova kërkuan ndihmën e tij që Shqipëria të nderonte me dekorime 13 personalitete të shquara, bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit historik të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ata vlerësuan rolin dhe kontributin e Kryeministrit Berisha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë, ndërsa e quajtën atë, bashkë me Ibrahim Rugovën, si dy liderët historik të së djathtës shqiptare.

Kryeministri Berisha premtoi se do të ndikonte, që nderimi i personaliteteve të shquara nga Kosova të vazhdonte pa ndërprerje dhe se shumë shpejt në Tiranë, në rrugën me emrin e Presidentit Rugova, do të vendoset edhe shtatorja e tij.

Ai përgëzoi bashkëpunimin mes të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë në nderimin e patriotëve shqiptarë, ndërsa përshëndeti sportisten nga Kosova, Majlinda Kelmendi, për fitimin e titullit “Kampion Bote” në xhudo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›