E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i PD, Kadeli: Emrat e qeverisë “Rama”, servilët e kryetarit – mungojnë figura me kontribute të mëdha në PS

08-08-2013 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjovalin Kadeli, përjashton çdo lloj mundësie për tu kthyer të PS, për aq kohë sa ajo do të drejtohet nga Edi Rama. Në intervistë për mediat, Kadeli tha se Ramës i mungon ajo që ai e quajti “burrëri për të respektuar marrëveshjet”, por shprehu bindjen se këtë mësim do t’ja japë pa diskutim kreu i LSI, Ilir Meta. “Unë ndjehem i vlerësuar në Partinë Demokratike. Në politikë është e vështirë, asnjëherë s’duhet të thuash kurrë. Por mund ta them me gojën plot kjo s’mund të ndodhë, të paktën për sa kohë atë parti e drejton Edi Rama. Në politikë ka marrëveshje, që pavarësisht nivelit të përfaqësimit, ka një farë burrërie, një farë kontrate, gjë që Rama nuk e njeh, nuk e ka njohur, kemi rastin Ndoka, Ngjela, Zogaj që janë në rrugë për shkak të mungesës së zbatimit të një kontrate nga zoti Rama. Pavarësisht se ai sot është Kryeministër i vendit, do jetë në shtator, në planin e marrëveshjeve nuk është shquar ndonjëherë si një njeri që e mban fjalën dhe jam i sigurt se kjo do ti kushtojë. Por tani siç thotë populli i ka ngecur sharra në gozhdë, pas pasi e ka bërë këtë kontratë është i detyruar t’i rrijë se ndryshe do ketë pasoja. Zoti Meta është ai që do ta vejë në binarë zotin Rama, t’i japë një mësim të mirë lidhur me zbatimin e marrëveshjeve dhe kontratave”- tha ai.
Në një koment për qeverinë e re, Kadeli deklaron se emrat e kabinetit nuk ishin surprize. Sipas tij, pjesë e qeverisë janë “servilet” e kryetarit, ndërsa mungojnë emra me kontribute të mëdha në PS. “Shumë kush në Shqipëri po thotë se qeverisja është pjesë e marrëveshjes së zotit Meta. Por unë mendoj të kundërtën, duke njohur zotin Rama. Ashtu siç erdhi në PS dhe ndryshoi tërësisht kryesinë, ndërsa mbajti ca figura për të ruajtur marrëdhëniet me socialistët e thjeshtë. Ashtu siç e reformoi kryesinë me njerëz të marrë nga Bashkia, ashtu po bën me qeverinë që e ka tërësisht në dorë për shkak të numrave të sigurt që ka lidhur me vazhdimin e qeverisjes. Emrat nuk janë surprizë, janë emra që Rama i ka lançuar dhe i ka angazhuar duke dhënë një mesazh të qartë për publikun që mos u çudisni nëse nesër do ti shihni këtu, siç dhe ndodhi. E çuditshme është për disa figura të PS, që jo qe mund të ricikloheshin, por do t’i ruanin fytyrën qeverisë, si zoti Majko. Kjo nuk ndodhi, por nga zoti Rama pritet gjithçka”- theksoi Kadeli.
Ai garantoi një opozitë të fortë, që nuk e dobëson fakti që në parlament nuk ndodhet kreu i ri i PD, gjë që përsërit të njëjtën situatë me PS ne legjislaturën e kaluar. Për Kadelin mungesën e kreut të PD në Kuvend do ta mbulojë mesë miri kreu i ri i grupit parlamentar të kësaj partie, që duket se PD e ka një emër, por që Kadeli nuk do ta zbulojë. “Opozita nuk bëhet në tëitter apo fb, por bëhet si sic di ta bëjë Sali Berisha. Nëse do ishte ai në vend të Ramës në opozitën socialiste pushteti ishte dorëzuar brenda 24 orësh. Është njeri ambicioz, këmbëngulës, jam i bindur se zoti Berisha do jetë një opozitar që i bën mirë dhe vendit, që do frenojë dhe një revansh të mundshëm të zotit Rama që me ato lloj servilësh që ka në qeveri do mundohet të kalojë dhe limitin e një Kryeministri të ardhshëm. Jam i sigurt se zoti Berisha do jetë opozitar vërtet i fortë siç ka karakterin e tij.Mirë do ishte që kryetari i opozitës të ishte në Parlament. Por jam i bindur se këtë do ta mbulojë më së miri kryetari i grupit parlamentar, për të cilin nuk them dot emra sepse është diçka që ngelet mes lidershipit të PD. Një fenomen të tillë e kam kaluar me zotin Rama, që shpikte metoda të reja në komunikim me deputetët, duke realizuar takime çdo të enjte, që i quanin me shaka takimi i grave të lira”- përfundoi ai.
Gjovalin Kadeli është deputeti i dytë i listës së PD për qarkun e Lezhës, ku e djatha mori 4 mandate dhe e majta 3.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›